10:52 / E Diele, 24 Tetor 2021 / MSH

Kapet shefi më i kërkuar i drogës në Kolumbi

Në Kolumbi është kapur trafikanti më i kërkuar i drogës, Dairo Antonio Úsuga, i njohur si Otoniel.

Siç raporton prestigjiozja BBC, Otoniel u kap gjatë ditës se djeshme, pas një operacioni të përbashkët nga ushtria, forcat ajrore dhe policia, transmeton IndeksOnline.

Qeveria kolumbiane kishte ofruar një shpërblim prej 800 mijë dollarësh për këdo që kishte informacione lidhur me vendndodhjen e tij, Shtetet e Bashkuara shpërblenin 5 milionë dollarë për informata për të.

Otoniel, përveç se është trafikanti më i madh i drogës në Kolumbi, ai është gjithashtu shefi i bandës më të madhe kriminale atje.

Presidenti i Kolumbisë e duartrokiti aktin e arrestimit te Otoniel, duke e krahasuar me rënien e të famshmit Pablo Escobar.

“Kjo është goditja më e madhe kundër trafikut të drogës në vendin tonë këtë shekull. Kjo goditje është e krahasueshme vetëm me rënien e Pablo Escobar në vitet 1990”, tha presidenti kolumbian.

Otoniel u kap duke u fshehur në një fshat në provincën Antioquia.

Policia ka kryer një mori operacionesh për të kapur 50 vjeçarin tash e sa vite, por që ka deshtuar në të gjitha tentativat, shkruan IndeksOnline.

Sipas forcave të sigurisë në Kolumbi, klani i Otoniel është organizata kriminale më e fuqishme në vend, ndërkaq autoritetet amerikane e konsiderojnë si jashtëzakonisht të dhunshme dhe të armatosur rëndë.

Në klanin e Otoniel, besohet se janë të rekrutuar rreth 1800 anëtarë.

Banda i kontrollon pothuajse të gjitha rrugët kryesore që përdoren për kontrabandë të drogës nga Kolumbia në ShBA, e deri në Rusi.