Kapiteni i Anglisë “paralajmëron” serbët: Do të braktisim fushën nëse …

Kapiteni i Anglisë, Harry Kane, ka deklaruar se përfaqësuesja angleze është e gatshme të largohet nga fusha nëse gjatë ndeshjes kualifikuese të Botërorit 2026 ndaj Serbisë në Beograd do të ketë raste racizmi ndaj lojtarëve të tij.
Stadiumi “Rajko Mitiç” do të jetë me kapacitet të reduktuar, pasi Serbia u ndëshkua nga UEFA për sjelljen raciste të tifozëve të saj në qershor kundër Andorrës. Një situatë e ngjashme ndodhi në vitin 2019 në Sofje, kur Anglia u përball me Bullgarinë dhe ndeshja u ndërpre dy herë për shkak të ofendimeve raciste.
Duke folur para mediave, Kane u shpreh: “Po, kemi pasur një situatë të ngjashme në Bullgari. UEFA ka protokollet e veta dhe ne i njohim hapat që duhet ndjekur. Jemi të qartë për atë që duam të bëjmë. Shpresojmë që të mos ndodhë, por nëse ndodh, jemi gati të marrim vendimin.”
Edhe trajneri i Anglisë, Thomas Tuchel, konfirmoi se çështja është diskutuar me FA-në: “Nuk kam folur drejtpërdrejt me lojtarët, por FA ka biseduar me ne për këtë. Besojmë tek e mira dhe shpresojmë që ndeshja të zhvillohet në nivel të lartë sportiv, duke festuar futbollin për atë që është.”
Anglia synon të marrë fitoren e dytë radhazi, pas suksesit kundër Andorrës, por përballja me Serbinë në një ambient të nxehtë pritet të jetë një nga sfidat më delikate të grupit.