Kapiteni i Kosovës: Madhështore ta dëgjosh himnin tonë në Spanjë
Kosova ka shënuar paraqitjen e parë në histori të saj në kampionatin Botëror për U21 që po mbahet në Spanjë. Përfaqësuesja jonë u mposht nga Kroacia, por paraqitja e saj ishte mbresëlënëse.
Mediet ndërkombëtare i kanë kushtuar vëmendje të madhe Kosovës, derisa kapiteni Jon Muqolli ka dhënë një intervistë për faqen zyrtaret të Federatës së Hendbollit Ndërkombëtar.
“Që nga prilli kemi shijuar ndjenjën e paraqitjes në botëror. E kemi pasur këtë ndjenjë gjatë udhëtimit nga Prishtina në Frankfurt dhe nga Frankfurti në Vigo. Ishte e veçantë, është hera e parë që marrim pjesë dhe të gjithë jemi të lumtur dhe të buzëqeshur. E dimë për çka po luajmë dhe po e shijojmë këtë”, ka thënë Muqolli.
“Të dëgjojmë himnin tonë këtu, ishte disi ndryshe. Për Kosovën është hera e parë në një botëror dhe ishte kënaqësi të rreshtohemi për të luajtur ndaj një ekipi të fortë si Kroacia. Të gjitha ekipet në grupin tonë janë të forta. Para ndeshjes ndoshta kemi pasur shumë emocione, ndoshta më tepër se që duhet, pasi po paraqiteshim për herë të parë. Për mua ishte kënaqësi të flas me bashkëlojtarët dhe t’u them se çdo gjë do të jetë në rregull. E dijmë që e gjithë Kosova na ka ndjekur.
Të gjithë do të mundohemi të japim më të mirën këtu në Spanjë. Mendoj se nuk do të zhgënjejmë njerëzit tanë pasi do të japim më të mirën për të luajtur ndeshje të mëdha. Ne të gjithë vlerësojmë përkrahjen e tifozëve dhe shpresojmë se nuk do të dëshpërohen me ne”, ka thënë Jon Muqolli.