Karaçeva kërkon ndihmën e institucioneve për t’i ruajtur tokat e brezit kufitar
Ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi do të bisedojë me misionin paqeruajtës të KFOR-it për të shtuar patrullimet e përbashkëta në zonën e Karaçevës në kufi me Serbi, ku aktualisht janë tri fshatra në të cilat nuk patrullon policia e Kosovës për shkak të një vendimi të KFOR-it në vitin 2014.
Ai gjatë vizitës që i bëri sot kësaj zone, është njoftuar nga afër me shqetësimet e banorëve lokalë rreth mungesës së patrullimeve nga ana e Policisë së Kosovës në kufirin me Serbinë.I pari i rendit pas takimit me kryetarin e Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, tha se zgjodhi këtë komunë për ta vizituar të parën, në mënyrë që të informohet me shqetësimet e banorëve, por edhe të komunës për obligimet e kësaj ministrie në rrafshin e sigurisë.
Kreu i rendit shtoi se tashmë veç kanë marrë hapa konkretë për kthimin e patrullimit të Policisë së Kosovës edhe në tri fshatra që aktualisht nuk patrullohen për shkak të një vendimi të komandantit të KFOR-it në vitin 2014.
Ndërsa, kryetari i komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, u shpreh i kënaqur me vizitën e ministrit Gashi, meqë sipas tij, kjo pjesë e Kosovës është lënë anash.
Ministri Gashi bashkë me kryetarin Kastrati dhe ushtruesin e detyrës së drejtorit të Policisë, Naim Rexha, kanë vizituar fshatin Karaçevë, ku janë informuar nga banorët e kësaj zone për problemet që kanë me shtetin serb rreth tokave në atë pjesë.
Përfaqësuesi i fshatit Karaçevë, Selver Lenjani, ka lutur të gjithë ata që duan t’i ruajnë tokat e brezit kufitar që të bëjnë diçka, pasi sipas tij, me marrëveshjen e Kumanovës janë copëtuar tokat e brezit kufitar. Ministri Gashi për gjendjen aktuale të sigurisë në atë pjesë është njoftuar edhe nga zyrtarët e Policisë së Kosovës, pika ndërlidhëse në fshatin Karaçevë.