75 Mall Live Search
20:41 / E Martë, 09 Mars 2021 / OSH

Kardiologët e kundërshtojnë rikthimin e repartit të Invazivës në Klinikën e Kardiologjisë

Kardiologët invazivë po e kundërshtojnë rikthimin e repartit të tyre nën kompetenca e Klinikës së Kardiologjisë, sikurse ka qenë më parë. Ata i kanë dërguar një letër ministrit ku kërkojnë ndaljen e këtij procesi. Në këtë letër janë nënshkruar edhe internistët Tefik Bekteshi e Basri Sejdiu

Klinika e Kardiokirurgjisë me Kardiologji Invazive i kanë dërguar një letër ministrit në detyrë të Shëndetësisë Armend Zemaj, nga i cili kanë kërkuar që të ndalojë procesin e rikthimit të njësisë së Invazivës në Klinikën e Kardiologjisë.

Në letrën të cilën e ka siguruar Shneta, kardiologët thonë se ky proces është nisur nga Bordi Drejtues i SHSKUK-së më datën 3 mars, pa i konsultuar ata. Sipas tyre, ky vendim është arbitrar dhe duhet të anulohet.

Kardiologët në letër kanë renditur arsyet e tyre pse konsiderojnë se ribashkimi i Invazivës me Kardiologji nuk duhet të ndodhë. Ata thonë se në Statutin e QKUK-së Invaziva është pjesë e Kardiokirurgjisë dhe për ta ndryshuar këtë duhet të pritet plotësimi i Ligjit për Shëndetësi ku është paraparë themelimi i Institutit të Sëmundjeve Kardiovaskulare.

Në këtë letër ku janë nënshkruar edhe dy internistët, përkatësisht dy ish-udhëheqësit e SHSKUK-së dhe Kardiokirurgjisë Basri Sejdiu dhe Tefik Bekteshi, Bordi aktual i SHSKUK-së është akuzuar për degradim të Kardiologjisë Invazive.

“Menaxhmenti aktual në SHSKUK, i prirë nga Bordi i SHSKUK-së, bëri degradimin e këtij shërbimi vital për popullatën. Në këtë periudhë me mekanizma të ndryshëm vështirësohet shumë puna në Repartin e Kardiologjisë Invazive”.

“Së fundmi pa asnjë diskutim me njerëzit kompetent (punëtorët e Kardiologjisë Invazive) rreth kësaj çështje, tentohet finalizimi i degradimit të shërbimit kaq vital duke tentuar ta rikthejnë në njësinë që nuk ka funksionuar mirë”, thuhet në këtë letër të kardiologëve.

Më poshtë gjeni letrën e plotë dhe listën e specialistëve të nënshkruar. Gazeta ka kërkuar sqarime edhe nga menaxhmenti i SHSKUK-së, por deri më tani nuk ka marr përgjigje.

Për ndarjen e Invazivës nga Kardiologjia më herët ka pas akuza nga Gani Bajraktari se kjo ndarje ka shkaktuar rritjen e vdekshmërisë së pacientëve.