Kardiologjia e QKUK-së për “problemet me zemër” me vetëm 82 shtretër në dispozicion!
Viteve të fundit dukshëm janë shtuar rastet e sulmeve në zemër në vendin tonë, këtë e konfirmon edhe i pari i Kardiologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Faik Shatri.
Sipas tij, janë disa masa rekomanduese që ndihmojnë në parandalimin e sulmit kardiak.
“Parandalimi fillon me stilin e jetesës. Rekomandohet: ndërprerja e duhanit, ushqyerje e shëndetshme dhe e balancuar, aktivitet fizik i rregullt, kontroll i rregullt i tensionit, sheqerit dhe yndyrnave në gjak, menaxhim i stresit dhe gjumë i mjaftueshëm. Për personat me rrezik të shtuar, kontrollet kardiologjike periodike janë thelbësore”, ka thënë Shatri në një intervistë për IndeksOnlinen.
Tutje, ai ka bërë me dije se klinika përballet me mungesë të vazhdueshme sa i përket hapësirave dhe kapaciteteve.
“Klinika e Kardiologjisë përballet me ngarkesë të vazhdueshme, për shkak të numrit të madh të pacientëve dhe rritjes së rasteve urgjente. Hapësirat ekzistuese shfrytëzohen maksimalisht dhe në periudha të caktuara kërkesa tejkalon kapacitetet aktuale”, theksoi ai.
Shatri theksoi se marrë parasysh rritjen e vazhdueshme të numrit të pacientëve është e nevojshme edhe investimi i vazhdueshëm në pajisjet adekuate.
“Trajtimi i infarktit akut të miokardit realizohet sipas standardeve bashkëkohore, përfshirë koronarografinë dhe stentimin urgjent. Megjithatë, rritja e vazhdueshme e numrit të pacientëve kërkon investime të vazhdueshme në pajisje moderne, mirëmbajtje dhe furnizim të qëndrueshëm me material shpenzues, për të ruajtur cilësinë dhe shpejtësinë e trajtimit”, vlerëson Shatri.
Kardiologu Shatri thotë se klinika që ai drejton ka në dispozicion vetëm 82 shtretër.
“Aktualisht, Klinika e Kardiologjisë operon me 82 shtretër. Ky kapacitet shpesh është nën presion, sidomos në periudhat me fluks të shtuar të rasteve urgjente dhe pacientëve që kërkojnë monitorim intensiv, çka tregon nevojën për zgjerim të kapaciteteve në të ardhmen”, thekson ai.

