Kartoni i kuq i Kalulu mund të sjellë një ndryshim të madh në rregullin e VAR para Botërorit 2026
Pas polemikës së madhe në ndeshjen Inter – Juventus raportohet se IFAB po shqyrton një ndryshim të madh në rregullin e VAR, që mund të hyjë në fuqi para Kupës së Botës 2026.
Në derbi, Pierre Kalulu u përjashtua në minutën e 42-t për dy faulle që mori dy karton të verdhë. Ndërsa i pari ishte i diskutueshëm, kartoni i dytë u konsiderua nga mediat italiane si “absurd” dhe i pavlefshëm, pasi Alessandro Bastoni dyshohet se u hodh për të detyruar gjyqtarin Federico La Penna të japë kartonin. VAR nuk mund të ndërhynte sepse nuk ishte një karton i kuq direkt.
Sipas raportimeve të La Gazzetta dello Sport, IFAB do të shqyrtojë këtë çështje në asamblenë vjetore më 28 shkurt në Cardiff, Wales, ku pritet të votohet në favor të mundësisë që VAR të ndërhyjë edhe për kartonët e dytë të verdhë.
Ky ndryshim i mundshëm do të ndikojë drejtpërdrejt në ligat më të mëdha dhe mund të hyjë në fuqi edhe për Botërorin 2026, duke rritur drejtësinë në vendimet gjyqtarësh dhe duke reduktuar polemikat si ajo e derbit Inter–Juventus.

