75 Mall Live Search
23:42 / E Hënë, 16 Shkurt 2026 / L A

Kartoni i kuq që tronditi “Derby d’Italia”: La Penna drejt pezullimit, nën hetim kërcënimet me vdekje

Interi triumfoi 3:2 në “Derby d’Italia”, në një sfidë të vendosur nga golat e Luis Henrique, Pio Esposito dhe Piotr Zielinski.

Megjithatë, takimi u dominua nga polemikat për përjashtimin e mbrojtësit të Juventusit, Pierre Kalulu, në minutën e 42-të.

Kalulu u ndëshkua me karton të kuq pas dy të verdhëve. I pari, për një ndërhyrje ndaj Nicola Barella, u konsiderua i ashpër nga një pjesë e mediave italiane, ndërsa i dyti u cilësua nga disa si “i dyshimtë” dhe “i ekzagjeruar”.

Dyshohet se Alessandro Bastoni e teproi në kontaktin me mbrojtësin francez për të provokuar kartonin e dytë. Duke qenë se bëhej fjalë për dy kartonë të verdhë dhe jo për një të kuq direkt, sistemi VAR nuk mund të ndërhynte sipas rregullores aktuale.

Një ditë pas ndeshjes, kreu i gjyqtarëve italianë, Gianluca Rocchi, la të kuptohej se vendimi ishte “qartësisht i gabuar”, çka mund t’i kushtojë La Pennës një pezullim rreth një muaji, sipas burimeve pranë Associazione Italiana Arbitri.

Sipas raportimeve të Corriere dello Sport, arbitri ka paraqitur kallëzim për krim kibernetik pas mesazheve kërcënuese si “Do të të qëlloj”, “Do të të vras” dhe “E dimë ku jeton”. Disa prej tyre i drejtoheshin bashkëshortes dhe dy vajzave të tij të mitura.

La Penna, me profesion avokat, ka dokumentuar menjëherë çdo mesazh dhe ka ndjekur rrugën ligjore. Për shkak të seriozitetit të situatës, policia e ka këshilluar atë dhe familjen e tij të qëndrojnë në shtëpi. Hetimet janë marrë në dorë nga Prokuroria e Romës, nën drejtimin e zëvendësprokurorit Sergio Colaiocco.