75 Mall Live Search
19:15 / E Hënë, 20 Maj 2019 / indeksADMonline

Kastrati dërgon në KQZ kërkesën për referendum që të ketë reforma në arsim

Gjendja e arsimit në komunën e Kamenicës nuk duket të jetë e mirë.

Kjo e ka detyruar kryetarin e kësaj komune, Qëndron Kastrati që të nisë një kërkesë drejt KQZ-së për organizimin e një referendumit për reforma në arsim.

Në llogarinë e tij në Facebook, Kastrati ka paraqitur kërkesën me arsyetime qe ia ka drejtuar KQZ-së.

Më poshtë mund të lexoni statusin e plotë të kryetarit të Kamenicës:

Të premten i kam nisur KQZ-së kërkesën për organizim të referendumit konsultativ për reformë në arsim.

Arsimi është një nga problemet akute dhe prioriteti më i lartë në Kamenicë. Prandaj e konsideroj të domosdoshme që qytetari i komunës sonë të përfshihet drejtpërdrejt në vendimmarrje rreth reformës të cilën duam ta ndërmarrim. 

Reforma e propozuar është komplekse dhe po të mendoja thjesht si politikan karriere nuk do të kisha asnjë arsye t’i futem kësaj sfide. Por në situatën ku jemi, dhe gjendjen ku është katandisur arsimi dhe në çfarë kushte mësojnë nxënësit; është bërë e pashmangshme.

Sakrificat që koha i kërkon prej nesh janë të natyrave të ndryshme. Dikur sakrifica për të ardhmen ishtë përpjekje për liri, sot ajo është përkushtim që liria të mos jetë thjesht e kundërta e pushtimit, por ndërtimi i jetës e hapja e perspektivës.

Kjo reformë është perspektiva për të cilën do të punojmë. Kjo reformë, për mua është më shumë sesa qeverisje, është kauzë për të cilën kemi punuar me seriozitet. Andaj, së bashku mund të vendosim për të ardhme më të mirë të fëmijëve tanë dhe komunitetit në përgjithësi.