Kastrati: Gjendja e pensionistëve në Kosovë nuk është e mirë

Sot është Dita Ndërkombëtare e të Moshuarve. Lidhja e Pensionistëve të Kosovës ka kërkuar mbështetje sociale e shëndetësore nga institucionet e vendit. Në një intervistë për RTK-Radio, kryetari i Lidhjes së Pensionistëve, Sherif Kastrati, thotë se gjendja e pensionistëve në Kosovë nuk është e mirë.
“Fatkeqësisht këtë gjendje nuk mund ta përshkruaj hiq. Duhet t’i falënderojmë remitencat që vijnë nga jashtë, të vetmet ato janë mbështetje. Ne jemi barrë për pasardhësit tanë, e të cilët në vend se t’i ngritin familjet e veta duhet të na mbajnë edhe neve, me vjen keq por shteti duhet të bëjë pak më shumë në këtë aspekt. Shtetet përreth kanë disa markete që ofrojnë përqindje më të vogël për produktet ushqimore për pensionistët, këtu nuk është një praktikë e tillë”, ka thënë Kastrati.
Ndërsa ka thënë se përkundër që Kosova ka më pak pensionistë në rajon, asnjë qeveri deri më sot, nuk kanë pasur ndjesinë ndaj paraardhësve të vet.
” Me këtë pension bazik, që është 120 euro, me të cilat nuk mundesh të mbijetosh veç me një shujtë, ku janë të tjera shërbime si kontrollet, pasi që të moshuarit kanë nevojë më tepër për barna edhe atë në mënyrë permanente, të shumta që i përcjellin sëmundjet kronike që është e domosdoshme e që kalon në një shumë të madhe, e mos të flasim edhe për njerëz të tjerë që janë shumë të sëmurë e nuk dinë nga t’ia mbajnë, ata më mirë veç të vdesin. Është një domosdoshmëri e kohës, këto që nuk po i rrisin pensionet, shteti po i shtynë njerëzit të vdesin sa më shpejt. se kjo me 120 euro, nuk mund të mbijetosh e sidomos një i vjetër. Çdo herë ka pasur mbështetje për medikamente, nuk kemi mbështetje, për barna esenciale duhet të subvencionohemi e mos me pagua. Kemi tension e disa sëmundje që janë te pleqtë, nuk ka mbështetje prej qeverisë. Diku 10 mijë janë pensionistë bazikë, e që marrin 120 euro që është ndihmë, e pjesa tjetër janë pak më mirë e ju del diçka deri në fund. Këtu do të kisha pyet qeverinë a mundeni diçka të bëni për paraardhësit tuaj, është e domosdoshme, mos të vdesin ata nga uria dhe mos-ushqyeshmëria. Qeveria duhet të japë edhe mbështetje shëndetësore, kur shkon te mjeku duhet me prit në rend me orë të tëra në shërbime publike, edhe më shumë sëmuret duke prit sesa që shkon për t’u shëruar ose me pas me bë ndonjë incizim nuk ka shans me prit radhën se radha është e gjatë”.