75 Mall Live Search
11:07 / E Enjte, 29 Tetor 2020 / k.v

Kastrati, nënshkruan 3 marrëveshje me Fondin e Kosovës për Efiçiencë Energjie

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka nënshkruar sot tri marrëveshje me përfaqësuesin e Fondit të Kosovës për Efiçiencë Energjie, Admir Shala.

Në këtë takim të pranishëm ishin edhe Vildane Maliqi udhëheqëse e Zyrës për investime dhe mbështetje të bizneseve, si edhe Burim Krasniqi, zyrtar nga Drejtoria e Shërbimeve Publike, Ambient dhe Inspektorat.

Kryetari Qëndron Kastrati duke falënderuar FKEE-në, tha se nga këto marrëveshje komuna, do të përfitojë duke ofruar shërbime sa më cilësore.

“Jemi duke u angazhuar që me anë të Fondit për Efiçiencë Energjie, në projektet që pritet të realizohen të sjellim shërbime sa më cilësore. Me nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve pritet që në projektin për SHFMU “Metush Krasniqi”, projektin për ndërtesën e Qendrës për Punë Sociale, si dhe projektin për ndriçimin publik, të kursejmë kosto të energjisë dhe buxhetit”, ka thënë ai.

Nga ana tjetër edhe përfaqësi i FKEE-së, Admir Shala, tha se bashkëpunimi me Komunën e Kamenicës për këto projekte është i mirëpritur.

“Falënderoj kryetarin për bashkëpunimin. Besoj që me nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve do të ketë cilësi edhe më shumë në projektet që pritet të realizohen”, ka thënë ai.