Kastriot Shabani në Godanc: Mbështetje për bujqësinë dhe blegtorinë vendore

Kastriot Shabani, kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Komunës së Shtimes, ka zhvilluar vizita në fshatin Godanc, ku është takuar me fermerë dhe blegtorë që kontribuojnë me përkushtim në zhvillimin e bujqësisë dhe ekonomisë rurale.
Në vizitën e tij te fermeri Skender Ramadani, Shabani pa nga afër punën e tij në kultivimin e pemëve, perimeve dhe serave. Ai e vlerësoi lartë përkushtimin dhe investimin në bujqësinë moderne, duke e cilësuar Ramadanin si një shembull frymëzues për të rinjtë që duan të angazhohen në këtë sektor.
“Do të vazhdojmë të mbështesim fermerët dhe iniciativat e tilla, sepse përmes tyre zhvillohet ekonomia, sigurohet ushqim i shëndetshëm dhe ruhet tradita bujqësore jonë”, tha Shabani.
Në një tjetër takim, Shabani vizitoi blegtorin Selim Ahmeti, i cili për vite me radhë merret me kujdesin e bagëtive në të njëjtin fshat. Ai theksoi se blegtoria është lënë pas dore dhe se është e domosdoshme një përkushtim i ri institucional për të ruajtur dhe motivuar ata pak blegtorë që kanë mbetur aktivë.
“Duhet të veprojmë me urgjencë në këtë sektor. Edhe nëse nuk mund të rrisim numrin e blegtorëve menjëherë, së paku t’i ruajmë dhe t’i mbështesim ata që vazhdojnë të punojnë me pasion,” shtoi ai.
Shabani ka dëgjuar nga afër shqetësimet dhe nevojat e tyre dhe duke ofruar alternativa konkrete për zhvillimin e bujqësisë, blegtorisë dhe zonave rurale të Komunës së Shtimes./IndeksOnline/