Kastro Zizo nderohet me çmimin “Artisti i Vitit” në Uashington DC

Me 10 dhjetor 2022 artisti i shquar shqiptar Kastro Zizo (Klevis Bega) ka marrë çmimin madhor “Artisti i Vitit 2022” në Uashington DC.
Me kërkesë të Senatorit të nderuar Charles E. Schumer, flamuri Amerikan u valvit në ndërtesën e Kongresit Amerikan në Uashington DC më 10 dhjetor 2022 me rastin e Ditës Botërore të OKB-së të Drejtave të Njeriut, duke nderuar artistin Kastro Zizo (Klevis Bega), Artisti i Vitit 2022.
Zyra e senatorit Schumer nderon artistin Kastro Zizo (Klevis Bega), Artisti i Vitit 2022 “për arritjet e jashtëzakonshme dhe kontributin e tij të rëndësishëm në artet krijuese në Evropë dhe SHBA. Me festimin e Ditës së OKB-së për të Drejtat e Njeriut 2022, ju përgëzojmë për avokimin tuaj për dinjitet, liri dhe drejtësi, veçanërisht për të rinjtë në Shqipëri dhe në mbarë botën”.
“Te vlerësohesh me një çmim të kësaj lartësie është mikluese, por nderi dhe krenaria vinë me njohjen dhe mbështetjen që njerëz të mëdhenj, i japin punë së një njeriu të dalë nga një vend i vogël si Shqiperia!” u shpreh Kastro Zizo.
Kohët e fundit, mediat prestigjioze amerikane kanë përfolur për suksesin dhe arritjet artistike, dhe jo vetëm të artistit të njohur Kastro Zizo. Revista amerikane NY Glamour Magazine e quan baba i rrokut urban dhe sensacion internacional që ka influencuar gjenerata në Shqipëri e më tej. Gjithashtu është emëruar “Artisti më me ndikim në 2022” (Most Influential Artist of 2022) nga revista NY Elite Magazine.
Kjo është hera e dytë që Kastro Zizo nderohet me çmimin “Artisti i Vitit” në karrierën e tij, për vitin 2022 në DC dhe më parë për vitin 2010 si “Artisti i Vitit” nga Zhurma Video Music Awards në Kosovë.
Përveç kontributit në historinë e muzikës dhe këngëve shqiptare, artisti i madh Kastro Zizo ka lënë gjurmë edhe në shoqëri. Nëpërmjet organizatës jofitimprurëse “E ardhmja ime, e tashmja ime”, Kastro Zizo promovon të drejtat e të rinjve nëpërmjet organizmit dhe nxitjen e veprimtarive rinore. Themeluar në Tiranë në 2020, organizata krijon mundësi për edukim joformal, zhvillim dialogu, fuqizimin e rinisë, veprimtari artistike, kulturore, dhe sociale.
Në nëntor 2022, organizata “E ardhmja ime, e tashmja ime” ideoi projektin “Kasketa” realizuar në bashkëpunim me Youth Tirana dhe me mbështetjen e Kongresit Rinor Kombëtar. Projekti kishte për qëllim promovimin e pikave turistike të Shqipërisë, afrimin e turistëve vendas dhe të huaj, si dhe shërbeu si një aksion komunitar për mirëmbajtjen dhe pastrimin e ndotjeve urbane.
Një aktivitet tjetër me rëndësi i shoqatës është “Ura Fest”, një aktivitet kulturor dhe artistik që afron të rinjtë e talentuar pranë muzikës, për të realizuar ëndrrën e tyre. Projekti u realizua me sukses në bashkëpunim me shoqatën “E ardhmja ime, e tashmja ime”, Bashkia e Tiranës, dhe qëndra multimediale Ten, me krijues artistik Kastro Zizo dhe VinSmoker, dhe juri Alban Kondi dhe Indrit Topi. (Instagram @imeeardhmja, @kastro_zizo_)
“Mendoj se të rinjtë janë motorri që do të na çojë në botën e së ardhmes, ndaj ne duhet të bëhemi trampolina e tyre sot në mënyrë që ata të jenë e ardhmja jonë nesër! Është e rëndësishme të punojmë sot për të hedhur themelet e botës ku do të rriten fëmijët dhe nipërit tanë dhe kë themele janë padiskutim të rinjtë e së tashmes,” shtoi artisti Kastro Zizo.



