75 Mall Live Search
21:58 / E Diele, 01 Tetor 2017 / indeksADMonline

Katalonia “fitoi të drejtën për pavarësi”

Udhëheqësi i Katalonisë, Carles Puigdemont, tha se rajoni ka fituar të drejtën për shtetësi, pas referendumit të së dielës, i cili është shoqëruar me dhunë.

Ai tha se është hapur dera për shpallje të njëanshme të pavarësisë.

Qindra njerëz janë plagosur pasi policia spanjolle ka përdorur forcën për të bllokuar votimin.

Qeveria e Spanjës është zotuar se do ta ndalojë referendumin, i cili është shpallur i paligjshëm nga Gjykata Kushtetuese e vendit.

Zyrtarët policorë penguan disa njerëz nga votimi, ndërsa sekuestruan fletëvotime në disa qendra.

“Në këtë ditë shprese dhe vuajtjeje, qytetarët e Katalonisë kanë fituar të drejtën për shtet të pavarur në formë të republikës”, tha Puigdemont në një fjalim televiziv, i rrethuar nga udhëheqës të tjerë katalanas.

Ai tha se Bashkimi Evropian “nuk mund të vazhdojë të shohë në mënyrë tjetër”.

Më herët, pas përfundimit të votimit, kryeministri i Spanjës, Mariano Rajoi, tha se katalanasit u mashtruan dhe morën pjesë në një referendum të paligjshëm. Ai e cilësoi atë si “tallje” me demokracinë.

“Sot nuk ka pasur referendum të vetëvendosjes në Kataloni. Sundimi i ligjit mbetet në fuqi”, tha ai në një fjalim televiziv.

Turma të mëdha të mbështetësve të pavarësisë u mblodhën të dielën në qendër të kryeqytetit rajonal, Barcelona, duke brohoritur dhe valëvitur flamuj të Katalonisë.

Qeveria e Katalonisë tha se mbi 800 njerëz janë plagosur në përleshjet në gjithë rajonin.

Ministria e Brendshme e Spanjës tha se 33 policë janë plagosur. Ajo po ashtu tha se 319 qendra votimi në Kataloni janë mbyllur – nga rreth 2,300 sa kanë qenë të hapura.

Rreth 5.3 milionë njerëz kanë pasur të drejtë vote, por ata që e kundërshtojnë pavarësinë kanë thënë se nuk do të marrin pjesë në referendum.

Katalonia ka 7.5 milionë banorë dhe përbën rreth një të pestën e prodhimit kombëtar të Spanjës./rel