75 Mall Live Search
13:04 / E Martë, 23 Nëntor 2021 / B O

Katari kishte përdorur një ish-zyrtar të CIA-s për ta spiunuar FIFA-n


Nikoqiri i Botërorit 2022 të futbollit Katari kishte punësuar një ish-zyrtar të CIA-s për të ndihmuar që të spiunojë zyrtarët e futbollit si pjesë e tentimit për të fituar të drejtën e organizimit të Botërorit 2022, raporton agjencia AP.

Është pjesë e trendit që ish-zyrtarë të inteligjencës amerikane shkojnë për të punuar për qeveritë të huaja që kanë rekord të diskutueshëm sa i përket të drejtave të njeriut. Kjo po shqetëson zyrtarët në Washington.

Hetimi i AP-s ka zbuluar se Katari angazhoi ish-zyrtarin e CIA-s të kthyer në kontraktues privat Kevin Chalkerin për të spiunuar kandidaturat rivale dhe po ashtu zyrtarët kyç që në vitin 2010 zgjodhën shtetin organizator të Botërorit 2022 të futbollit. Chalker po ashtu ka punuar për Katarin në vitet më pas.

Hetimi i AP-së bazohet në intervistat me ish-ndihëms të Chalkerit si dhe duke shikuar kontratat, faturat, emailat dhe po ashtu dokumentet e biznesit.

Chalker kishte premtuar se do ta ndihmonte shtetin të “ruante dominimin” ndaj popullësisë së madhe të punonjësve të huaj, thuhet në një dokument të siguruar nga AP. Katari – shtet me 2.8 milionë banorë, prej të cilëve vetëm 300 mijë janë vendas – është shumë i varur nga punonjësit e huaj, të cilët kanë ndihmuar në ndërtimin e stadiumeve dhe infrastrukturës së nevojshme për Botërorin 2022.

Zyrtarët e Qeverisë së Katarit nuk kanë reaguar ndaj kërkesave për koment. FIFA në anën tjetër ka refuzuar të komentojë. E Chalker, që ka hapur një zyre në Doha dhe ka një email të Qeverisë së Katarit, tha në një deklaratë se ai dhe bashkëpunëtorët e tij kurrë nuk do të angazhohen në ndonjë mbikëqyrje ilegale.

Ai po ashtu ka thënë se disa nga dokumentet që janë rishikuar nga AP janë falsifikime.