75 Mall Live Search
15:29 / E Enjte, 24 Tetor 2019 / indeksADMonline

Katër anëtarë të KQZ-së kërkojnë mbledhje, kryetarja Valdete Daka nuk deklarohet

Katër anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Sami Hamiti e Salih Morina nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Ilir Gashi nga Partia Demokratike e Kosovës dhe anëtari tjetër Alfred Kinolli, kanë kërkuar mbrëmë nga KQZ të mbajë mbledhje urgjente për ndalimin e numërimit të votave të ardhura jashtëligjshëm nga Serbia. 

 Mirëpo pavarësisht kësaj kërkese të dërguar me e-mail, kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka ende nuk është deklaruar. Indeksonline gjatë ditës ka tentuar disa herë të marr një qëndrim nga kryetarja Daka, mirëpo kontakti me të ka qenë i pamundur.

Ndërsa Ilir Gashi nga PDK ka thënë për Indeksonline se kanë bërë kërkesë përmes e-mailit që të thirret mbledhja e jashtëzakonshme, mirëpo, sipas tij duhet të mblidhen edhe nënshkrimet nga anëtarët e KQZ-së.

 “Pavarësisht kërkesës që kemi dërguar në e-mail, askush nuk ka marrë ndonjë hap tjetër për të mbledhur nënshkrimet lidhur me këtë çështje. Pra deri në këto momente nuk ka thirrur askush ndonjë mbledhje”, ka thënë Gashi. Procedurat kërkojnë që të mblidhen nënshkrimet për të thirrur mbledhje, mirëpo askush nuk i është përgjigjur kësaj shkrese të cilën e kanë dërguar katër anëtarët e lartpërmendur. “Ne kemi kërkuar të mbahet mbledhja sot dikur, por pasi që nuk kemi marrë përgjigje ka mbetur me aq”, ka thënë Gashi për Indeksonline.

Ndërkaq anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ nuk i janë bashkuar një kërkese të tillë për tu mbajtur mbledhja për anulimin e votave të ardhura nga Serbia.

Lidhur me këtë çështje, anëtarja e KQZ-së Nazlie Bala ka thënë se VV do t’i ndjekë rrugët ligjore përkitazi me këtë çështje. Ajo ka thënë se në transkriptim e mbledhjes së datës 12 tetor, Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar që KQZ të merr vendimin për sa i përket procesimit të votës nga mërgata dhe anulimin e votës nga Serbia.

“Të dy këto vendime janë refuzuar dhe anëtarët e tjerë të cilët kanë kërkuar nënshkrimet për më mbajt mbledhjen urgjente janë po të njëjtit të cilët kanë kërkuar që kjo çështje të procedohet sipas ligjit, pra ashtu siç e kemi thënë edhe në komunikatën e Lëvizjes Vetëvendosje”, ka thënë Balaj duke shtuar se VV e ka dërguar këtë rast në PZAP edhe në Gjykatën Supreme dhe se do ti ndjekin rrugët ligjore./Indeksonline/