Katër të plagosurit në Podujevë transferohen në disa klinika, kjo është gjendja e tyre
Katër të plagosurit nga përleshja e armatosur të enjten pasdite në Podujevë, po trajtohen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Zëdhënësja e QKUK-së, Mirlinda Qyqalla, e ka konfirmuar se pacientët janë transferuar në disa klinika për trajtim të mëtutjeshëm.
Pacienti A. Islami, i cili ishte kalimtar i rastit, në momentin që u plagos, është dërguar në Klinikën e Kirurgjisë Maksilofaciale, ku i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale, gjatë së cilës predha është larguar me sukses dhe është realizuar trajtimi kirurgjikal i të gjitha dëmtimeve të evidentuara.
“Aktualisht, pacienti ndodhet në gjendje stabile, me parametra të mirë shëndetësorë. Ai do të vazhdojë trajtimin dhe monitorimin pas operacionit, në përputhje me protokollet e Klinikës së Kirurgjisë Maksilofaciale”, ka thënë Qyqalla për Klan Kosovën.
Ndërsa tre të tjerët, që ishin personat kryesorë të përfshirë në përleshje, po trajtohen në klinika të ndryshme.
Klani mëson se anëtarët e familjes Zejnullahu, 36-vjeçari është transferuar në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare, ndërsa 32-vjeçari ndodhet në Mjekimin Intensiv Qendror. Ky i fundit është operuar dje, pas plagës që ka marrë në kokë gjatë konfliktit.
Edhe Agim Xhemajli po trajtohet në QKUK dhe ai është dërguar në Kirurgjinë Torakale, për trajtimin e mëtejmë.

