Katër të vdekur nga rrëzimi i avionit në Angli

Katër persona humbën jetën në aksidentin ajror në Aeroportin Southend të Londrës, të dielën, sipas agjencisë së lajmeve PA. Ngjarja e rëndë ndodhi gjatë orëve të pasdites, për shkaqe ende të panjohura. Avioni i vogël u rrëzua duke shpërthyer menjëherë në flakë.
Autoritetet kanë nisur hetimet pas aksidentit tragjik. Policia e Essex-it dhe Shërbimi i Ambulancës reaguan ndaj ngjarjes, pas raportimeve për përplasjen e një avioni 12 metra të gjatë.
Kompania Zeusch Aviation, me bazë në Aeroportin Lelystad në Holandë, konfirmoi se fluturimi SUZ1 ishte “përfshirë në një aksident” në Aeroportin Southend. Sipas faqes së saj zyrtare, avioni përdoret për fluturime mjekësore për transport pacientësh ose organesh.
Një zëdhënëse e Degës së Hetimeve për Aksidente Ajrore (AAIB) tha se ka nisur një hetim për ngjarjen, dhe një “ekip multidisiplinar me ekspertizë në operacione ajrore, faktorë njerëzorë, inxhinieri dhe të dhëna të regjistruara” mbërriti në vendin e aksidentit të dielën.
Dëshmitarë nga vendi i ngjarjes, treguan për mediat britanike dhe momentin e rënies së avionit.
“[Piloti] u rrotullua me kokë poshtë dhe u përplas në tokë, avioni ishte në ajër vetëm për disa sekonda. E pashë dhe menjëherë shpërtheu në flakë, kishte zjarr dhe tym kudo. Fatmirësisht, vajza ime po shikonte nga ana tjetër.”