14:19 / E Hënë, 09 Dhjetor 2019

Katër vjet e tetë muaj burgim për Nexhat Blakqorin, për vrasjen e ndodhur te nënkalimi

Gjykata Themelore e Prishtinës – Departamenti për Krime të Rënda  ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuarit Nexhat Blakqori për veprën penale: Vrasje nga pakujdesia nga neni 175 të KPRK, lidhur me  nenin 23 par.2 dhe nenin 24 të KPRK, (Ligji nr.06/L-074).

I akuzuari Blakqori është shpallur fajtor dhe është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 4 (katër) vjet e 8 (tetë) muaj, i cili dënim do të ekzekutohet  pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi. Në këtë dënim të akuzuarit i llogaritet koha e kaluar në paraburgim prej 23.07.2019 e deri më 09.12.2019.

“I akuzuari N.B është akuzuar nga Prokuroria… pasi që me datë 20.07.2019, rreth orës 17.50 në Prishtinë, në rrugën “Perandori Justinian” në shkallët e nënkalimit nën bulevardin “Bill Klinton” pas mosmarrëveshjes verbale fizikisht e kishte sulmuar tani të ndjerin – të dëmtuarin G.R, duke e goditur shumë herë me grushte në pjesën e kokës dhe e kishte goditur me këmbë në pjesën e kraharorit, për çka tani i ndjeri G.R e kishte humbur baraspeshën dhe ishte rrëzuar në shkallë me shpinë dhe kishte rrëshqitur deri te pushimorja e shkallëve duke pësuar lëndime trupore, për shkak të të cilave kishte ardhur deri te vdekja e të ndjerit”, thuhet në njoftimin për media.

Kundër këtij vendimi pala ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës./Indeksonline/