75 Mall Live Search
10:08 / E Premte, 07 Mars 2025 / k.v

Katër zyrtarët e aeroportit “Adem Jashari” lirohen nga akuzat për korrupsionin

Gjykata Themelore në Prishtinë shpalli aktgjykim lirues për zyrtarët e aeroportit “Adem Jashari”, Faton Gurguri, Endi Bujupi, Visar Xhekaj dhe Martin Biserov-Alekov, të cilët ishin akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Vendimi u shpall të premten nga kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Gëzim Ademi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në arsyetimin e gjykatës, u theksua se nuk është provuar se të akuzuarit kishin kryer veprën penale për të cilën ishin ngarkuar.

Gjykata njoftoi se shpenzimet do të mbulohen nga buxheti i gjykatës dhe pasi nuk ka pasur kërkesë për kompensim pasuror, palët nuk u udhëzuan në një proces juridiko-civil.

Në seancën e 5 marsit, të akuzuarit janë mbrojtur në heshtje derisa prokuroria kishte kërkuar aktgjykim dënues.

Sipas aktakuzës së ngritur, më 2 prill 2020, të akuzuarit Faton Gurguri, Endi Bujupi, Visar Xhekaj, në cilësinë personave zyrtarë të licencuar operatorë për X-Ray dhe i akuzuari Martin Biserov-Alekov, në cilësinë e inxhinierit të elektronikës dhe në cilësinë e mbikëqyrësit automatik në aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, kishin keqpërdorur detyrën zyrtare.

Në aktakuzë thuhet se më 18 gusht 2019, derisa kishte qenë greva e punëtorëve të këtij aeroporti, në pjesën ku ishte bërë monitorimi i dy pajisjeve LRDX1 dhe LRDX2 për kalimin e bagazheve të udhëtarëve, të akuzuarit Gurguri dhe Bujupi nuk e kishin monitoruar punën e pajisjeve në monitor, ndërsa Xhekaj nuk e kishte monitoruar zonën sterile të aeroportit për largimin e valixheve.

Për shkak të këtyre mosveprimeve, thuhet se valixhet kishin rezultuar si të dyshuara nga pajisjet e lartcekura, me ç’rast pajisjet ishin bllokuar prej ngarkesës së bagazheve dhe në mungesë të operatorëve X-Ray.

Sipas prokurorisë, i akuzuari Biserov-Alekov, si mbikëqyrës i pajisjeve që lëvizin në aeroport për bartjen e valixheve, kishin ndërhyrë duke e hapur barrierën dhe lëshuar trakën që bagazhet të kalojnë nëpër pajisjen VIS HR, i cili hyn në funksion vetëm në rastet rezervë.

Kështu, aktakuza thotë se 99 bagazhe kishin kaluar në këtë mënyrë duke u ngarkuar në depo të aeroplanit nga ana e të akuzuarit Biserov-Alekov, si të dyshuara dhe të kontaminuara dhe po ashtu ishin ngarkuar edhe 6 bagazhe të ndara, të dyshuara, të cilat ishte dashur të rikontrollohen nga operatori X-Ray.

Katër të akuzuarit me këto veprime, sipas Prokurorisë, kishin rrezikuar jetën e pasagjerëve dhe ekuipazhit, sigurinë e aviacionit civil dhe imazhin e Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Prokuroria katër të akuzuarit po i ngarkon se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.