10:06 / E Mërkurë, 25 Korrik 2018 / indeksADMonline

Katërfishohen patrullat e policisë në trafik, për 24 orë mbi 1 500 gjoba!

Policia e Kosovës që nga dje (e marte) për shkak të situatës shqetësuese në trafik ku shumë persona kanë humbur jetën në aksidente, ka marrë masa serioze shtesë për parandalimin e tyre.

Zyrtarë të policisë rrugore kanë thënë për Indeksonline se janë katërfishuar patrullat e policisë në trafik dhe do të ketë zero tolerancë për ata që shkelin rregullat e trafikut.

Sipas policisë, prej formimit të Task Forcës, pra ende pa u bërë 24 orë janë shqiptuar gjithsej 1552 gjoba trafiku që është numër rekord i tiketave për këtë vit.

Apelet, fushatat vetëdijësuese, veprimet operacionale policore, qasja e institucioneve tjera relevante që kanë rol dhe ndikim në ndryshimin e kësaj gjendje në trafik, shfaq nevojën e krijimit të mekanizmave shtesë për të kontribuar për një siguri edhe më të madhe nëpër rrugët tona.

Dhe për këtë qëllim Policia e Kosovës nga dje ka themeluar “Task Forcën” për parandalimin e aksidenteve në trafikun rrugor.

Qëllimi kryesor i kësaj Task Force është që përmes komandës dhe kontrollit të ndikohet direkt në parandalimin e aksidenteve të trafikut rrugor, duke angazhuar sa më shumë personel policor nga niveli qendror dhe ai lokal, duke përfshirë edhe stafin udhëheqës të Policisë./Indeksonline/