KDI i reagon Konjufcës: Pengimi i deputetëve të Listës Serbe, cenim i mandatit kushtetues

Gjatë seancës së sotme deputetët e LVV kanë bllokuar pjesëmarrjen e Listës Serbe në punimet e Kuvendit të Kosovës.
Deputetët e Listës Serbe morën pjesë për herë të parë pas një bojkoti të gjatë.
Prania e tyre shkaktoi reagime të forta nga kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili i quajti të turpshëm veprimet e tyre.
“E luftoni Republikën e Kosovës e sot vini këtu që të merrni pjesë në seancë. Turp të keni!”, deklaroi Konjufca me revoltë, duke ndërprerë seancën plenare.
Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) gjithashtu ndërmorën hapa për të bllokuar pjesëmarrjen e deputetëve të Listës Serbe, duke e konsideruar këtë një veprim politik për të mos lejuar përfundimin e mandatit të tyre pa përmbushur përgjegjësitë kushtetuese.
Mirëpo lidhur me këtë Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) reagoi ndaj këtyre zhvillimeve, duke e cilësuar pengimin e pjesëmarrjes së deputetëve si shkelje të mandatit kushtetues.
Reagimi i plotë:
Gjatë seancës së sotme plenare, deputetët e grupit parlamentar të Listës Serbe janë penguar jashtëligjshëm nga Kryetari i Kuvendit dhe deputetët e shumicës parlamentare, për të marrë pjesë në punimet e Kuvendit.
Megjithëse Lista Serbe ka bojkotuar punimet e Kuvendit që nga viti 2022, dhe të njëjtit janë paraqitur në Kuvend vetëm për qëllime të mospërfundimit të mandatit, pengimi i tyre në seancën e sotme përbën cenim të mandatit kushtetues të deputetit. KDI, në vazhdimësi ka kritikuar Listën Serbe për mospjesëmarrje në punën e Kuvendit, duke vlerësuar që mospjesëmarrja e tyre e minimizon hapësirën për komunikim midis komuniteteve jo-shumicë dhe pushtetit. Për më keq, mospjesëmarrja e Listës Serbe ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë në procedurat ligjvënëse, sidomos për ato që kërkojnë shumicën e dyfishtë.
Sipas ligjit, deputetët i nënshtrohen vetëm ndërgjegjes së tyre, andaj edhe bojkoti – si mjet politik – ndonëse e dobëson efikasitetin e Kuvendit dhe cenon përfaqësimin e interesave të qytetarëve, nuk mund të përdoret si arsye për pengim të pjesëmarrjes së deputetëve në punimet e Kuvendit.
Sipas Rregullores, deputetët mund të largohen nga seanca, vetëm në rast se ata përdorin fjalë fyese, cenojnë personalitetin e kryesuesit të seancës ose deputetëve tjerë, apo vazhdojnë të bëjnë shkelje në raport me të cilat paraprakisht janë sanksionuar. Ndërsa, ndërprerja e seancës mund të bëhet vetëm në rastet kur në sallë bëhet rrëmujë dhe nuk respektohet kërkesa e kryesuesit të seancës për mbajtjen e rregullit./Indeksonline/