18:49 / E Martë, 27 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Kërkohet seancë e jashtëzakonshme për zhvillimet në veri

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), pas protestave dhe dorëheqjeve të kryetarëve të komunave me shumicë serbe në veri, kërkon mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, në mënyrë që të ketë një qasje të koordinuar konsensuale të skenës politike dhe institucionale për të parandaluar krijimin e vakumit institucional.

Në një letër dërguar deputetëve të Kuvendit të Kosovës, KDI kërkon nga ligjvënësit kosovarë t’i kontribuojnë situatës aktuale me rekomandime dhe veprime konkrete për të adresuar këto zhvillime dhe për të rikthyer normalitetin e jetës qytetare dhe asaj institucionale.

“Duke ditur rolin dhe përgjegjësitë e deputetit dhe grupit parlamentar, ne përmes kësaj letre direke ju bëjmë thirrje që të angazhoheni qoftë në kapacitet individual apo grupimit parlamentar për të thirrur seancën e jashtëzakonshme”, thuhet në letër.

Ndryshe, serbët sot protestuan në Mitrovicën e Veriut dhe katër kryetar të komunave me shumicë serbe dhanë dorëheqje, duke paralajmëruar shkëputje të komunikimit me institucionet e Kosovës në shenjë revolte ndaj vendimit për ngritjen e taksës 100 për qind ndaj mallrave serbe që hyjnë në Kosovë.