75 Mall Live Search
12:08 / E Premte, 13 Gusht 2021 / OSH

KDI për punën e Kuvendit: Pak ligjbërje, më shumë mbikëqyrje dhe plot shkarkime e mungesa të deputetëve

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka mbajtur sot konferencë për media me rastin e publikimit të raportit të monitorimit dhe vlerësimit të performancës së Kuvendit të Kosovës gjatë sesionit pranveror 2021, e cila u karakterizua me një ritëm të ngadaltë të punës në procesin legjislativ por me performancë më të mirë në rolin mbikëqyrës.

Agnesa Haxhiu vlerësoi se Kuvendi i Kosovës në këtë sesion të punës ka shënuar rritje të lehtë të numrit të përgjithshëm të seancave krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar të legjislaturës së VII-të.

Prej fillimit të kësaj legjislature janë mbajtur 23 seanca (duke përfshirë edhe seancën konstituive) prej të cilave 16 ishin të rregullta, katër të jashtëzakonshme dhe dy solemne. Në 13 raste seancat kanë vazhduar për një ditë tjetër ndërkaq tri prej tyre nuk kanë arritur të përmbyllen për shkak të mungesës së kuorumit për t’iu dhënë epilog katër pikave të mbetura nga këto seanca.

“Një problematikë që e ka përcjellë këtë periudhë të punës së Kuvendit ngjashëm si në të kaluarën janë mungesat e shumta të deputetëve në seancë, veprime këto që padyshim që kanë ndikuar në mbarëvajtjen e punimeve plenare. Sipas të dhënave të siguruara nga Kuvendi, deri në fund të muajit korrik deputetët kanë munguar plot 414 herë”, shtoi ajo.

Edhe Kryesia e Kuvendit është mbledhur dy herë më shpesh për dallim nga periudha e njëjtë e vitit të kaluar duke mbajtur gjithsej 18 mbledhje, kurse komisionet parlamentare, kanë rritur performancën duke mbajtur 176 mbledhje dhe gjashtë dëgjime publike (rritje prej 31 mbledhjesh dhe pesë dëgjimesh publike më shumë sesa sesionin pranveror 2020).

Agnesa Haxhiu tha që ky sesion është karakterizuar me numër të ulët të ligjeve të miratuara (vetëm 7 sosh) në krahasim me 10 ligjet e miratuara në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

“Në bazë të agjendës legjislative të Kuvendit, janë proceduar 29 projektligje, prej të cilave shtatë janë miratuar ndërsa 22 të tjerë janë në procedurë të shqyrtimit. Në anën tjetër, qeveria ka dështuar të përmbushë planin e saj legjislativ duke dorëzuar vetëm 27 projektligje nga 65 sa kanë qenë të parapara për procedim për periudhën prill –gusht. Këto vonesa kanë ndikuar drejtpërdrejt në dinamikën e punës së Kuvendit në shqyrtimin e tyre”, tha Haxhiu.

Ndonëse në legjislaturën e kaluar ishte sfidë arritja e kuorumit edhe për ligjet bazike që kërkojnë shumicë të thjeshtë të votave, gjithsesi pavarësisht që kjo legjislaturë ka një shumicë të konsoliduar mungesa e kuorumit vazhdoi të jetë prezentë.

“Mospjesëmarrja e opozitës në votim, e ka shndërruar në sfidë kryesore të Kuvendit, arritjen e kuorumit në vendimmarrje në pikat që kërkonin 2/3 e votave të të gjithë deputetëve, siç ishte rasti me ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare. Në mungesë të votave të mjaftueshme, dy marrëveshje ndërkombëtare u ratifikuan vetëm pas tentativës së tretë, ndërsa dy marrëveshje të tjera kanë mbetur në procedurë për votim në seancë pasi që për to nuk ka është arritur konsensusi i nevojshëm mes grupeve parlamentare”.

Haxhiu vlerësoi se një tjetër aspekt që e karakterizoi sesionin pranveror ishte procesi i shkarkimit të plotë të bordeve të institucioneve të pavarura dhe shkarkime individuale duke nxitur mospajtime mes shumicës parlamentare dhe opozitës.

Pavarësisht këtyre mospajtimeve, Kuvendi me shumicë votash ka shkarkuar bordet e katër institucioneve të pavarura siç janë: bordi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), bordin e Radio Televizionit të Kosovës (RTK), bordin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK), bordin e Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave (ARH) si dhe një anëtar të bordit të KOSTT-it.

Të dhënat nga monitorimi flasin për ngritje të performancës në ushtrimin e rolit mbikëqyrës në krahasim me periudhën e njëjtë të legjislaturës së VII-të.