14:11 / E Enjte, 08 Shkurt 2018 / indeksADMonline

KDI tregon nëse qytetarët duan që Amerika të përfshihet në dialogun Kosovë-Serbi

49 për qind e qytetarëve mendojnë se dialogu Kosovë-Serbi nuk duhet të vazhdojë pa përfshirjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në këtë proces, 30 për qind e tyre mendojnë se duhet të vazhdojë, ndërsa 21 për qind nuk e dinë nëse një gjë e tillë duhet të bëhet apo jo.

Këto të dhëna i ka bërë të ditur Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), përmes një hulumtimi të realizuar lidhur me pritshmëritë e qytetarëve rreth fazës përmbyllëse të dialogut Kosovë-Serbi, me titull: “Normalizimi i marrëdhënieve Kosovë – Serbi, këndvështrimi i qytetarëve”.

Jeta Krasniqi, menaxhere e programit në KDI tha se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë vazhdon të mos ketë epilog.

“Edhe në këtë fazë kemi paqartësi, nuk e dimë ende cilat tema do diskutohen, çfarë epilogu do të ketë dhe kush do ta udhëheq atë. Gjithashtu ne ende nuk e dimë se për çfarë kompromise po flasim me Serbinë”, tha Krasniqi.