75 Mall Live Search
16:58 / E Enjte, 09 Tetor 2025 / Z S

KDI u bën thirrje deputetëve dhe partive parlamentare të përfundojnë konstituimin e Kuvendit

Pas interpretimit të djeshëm të Gjykatës Kushtetuese lidhur me zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit si hapi i fundit drejt konstituimit, KDI u bën thirrje deputetëve dhe partive politike të përfaqësuara në Kuvend që të respektojnë këtë vendim dhe të ndërmarrin pa vonesë hapat e nevojshëm për zgjedhjen e anëtarit të mbetur të Kryesisë, duke u bazuar në normat kushtetuese dhe legjitimitetin qytetar.

KDI përmes një komunikate për media tha se zgjedhja e anëtarit të pestë të kryesisë nga komuniteti serb e përmbyll konstituimin e Kuvendit dhe i hapë rrugë krijimit të Qeverisë, rrjedhimisht funksionalizimit të plotë të institucioneve të vendit.

“Saktësisht 8 muaj nga mbajtja e zgjedhjeve të përgjithshme, përmbyllja e konstituimit të Kuvendit nuk mund të shihet vetëm një çështje formale, por një hap i domosdoshëm për forcimin e proceseve demokratike dhe garantimin e funksionimit efektiv të institucioneve kushtetuese. Qytetarët e vendit, të cilët kanë dhënë verdiktin e tyre përmes votës, tanimë kanë humbur shumë dhe presin veprime politike zhbllokuese dhe racionale”.

“KDI rikujton se respektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është detyrim kushtetues dhe themel i shtetit të së drejtës, andaj të gjitha subjektet politike duhet të veprojnë në përputhje me këtë parim dhe të kontribuojnë në rikthimin e normalitetit institucional dhe funksionimin e demokracisë parlamentare”, thuhet tutje në komunikatë./Indeksonline/