75 Mall Live Search
17:16 / E Enjte, 30 Korrik 2020 / indeksADMonline

KE nënshkruan marrëveshje për asistencë financiare me Kosovën në vlerë prej 100 milionë eurosh

Komisioni Evropian e ka nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi me Kosovën për t’i hapur rrugë disbursimit të parë prej 50 milionë eurosh si asistencë makro financiare për Kosovën.

Kësti i dytë prej 50 milionë eurosh mund të disbursohet më vonë këtë vit ose në fillim të vitit 2021.

“Fondet e AMF do të vihen në dispozicion në formë të kredive afatgjata me kushte mjaft të volitshme. Fondet do të kontribuojnë në forcimin e stabilitetit makroekonomik, në mënyrë që burimet financiare të qeverisë të mund të ndahen për të lehtësuar pasojat e rënda socio-ekonomike të shkaktuara nga pandemia”.

“Nataliya Apostolova, Shefe e Zyrës së BE-së në Kosovë/Përfaqësuese Speciale e BE e mirëpriti nënshkrimin e marrëveshjes dhe i bën thirrje Kuvendit të Kosovës që me shpejtësi të vazhdojë me ratifikimin e kësaj marrëveshjeje të financimit, kështu që mos të vonohet procesi i disbursimit të përkrahjes financiare”.

“Me Memorandum të Mirëkuptimit u dakorduan nëntë kushte të politikave të cilat e mbështesin programin. Ato përfshijnë masat që lidhen me forcimin e financave publike dhe stabilitetin financiar, adresimin e papunësisë së të rinjve dhe përmirësimin e qeverisjes së mirë dhe luftën kundër korrupsionit”.