KE për Serbinë: Dialogu me Kosovën dhe përgjegjësi për ngjarjet në veri
Shefi i Delegacionit të BE-së në Beograd, Andreas von Beckerath, i dorëzoi autoriteteve serbe raportin më të ri të Komisionit Evropian për progresin e Serbisë në procesin e integrimeve evropiane. Në dokument theksohet se polarizimi i shoqërisë dhe korrupsioni kanë thelluar krizën politike.
Komisioni Evropian thekson se përparimi i Serbisë drejt anëtarësimit në BE do të varet nga sundimi i ligjit dhe normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën, duke kërkuar që Beogradi të harmonizohet plotësisht me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së BE-së.
“Përmes dialogut që ndërmjetëson BE-ja, Serbia dhe Kosova duhet të zbatojnë plotësisht detyrimet nga Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të vitit 2023, si dhe të gjitha marrëveshjet e mëparshme. Serbia duhet gjithashtu të sigurojë përgjegjësi për ngjarjet në veriun e Kosovës nga vjeshta e vitit 2023,” deklaroi shefi i Delegacionit të BE-së në Beograd, Andreas von Beckerath.
Duke komentuar raportin, presidenti Aleksandar Vuçiq tha se Serbia “do të ishte përpara vendeve të tjera kandidate nëse do ta njihte Kosovën dhe do të vendoste sanksione ndaj Rusisë,” por shtoi se nuk do ta bëjë këtë.
Beckerath theksoi se reformat mbeten themel për demokracinë dhe zhvillimin ekonomik të Serbisë.
“Megjithëse janë bërë disa hapa përpara, ritmi i reformave është ngadalësuar. Shohim polarizim në rritje, korrupsion dhe mungesë përgjegjësie. Ngjarja tragjike në Novi Sad dhe reagimi i institucioneve ndaj protestave pas saj kanë thelluar mosbesimin qytetar,” tha ambasadori i BE-së.
Nga ana tjetër, opozita e cilësoi raportin si më kritik deri më sot, duke theksuar se Serbia po kthehet në “shtet të kapur”. Deputeti i Frontit të Gjelbër-Majtë, Radomir Lazoviq, tha se dokumenti reflekton ndryshimin e qëndrimit të BE-së ndaj Beogradit.
“Raporti shpreh shqetësim të thellë për tendencat autoritare dhe për herë të parë Serbia përshkruhet publikisht si shtet autokratik,” deklaroi Lazoviq.
Njohësit e zhvillimeve politike vlerësojnë se raporti i Komisionit Evropian, i cili konstaton regresin e Serbisë në fushat e lirisë së mediave, demokracisë dhe sundimit të ligjit, përbën një sinjal të qartë se BE-ja po bën një kthesë në politikën e saj ndaj Beogradit. Sipas tyre, ky është raporti më kritik deri më sot, ndërsa ekspertët për integrime evropiane paralajmërojnë se në Serbi po zhvillohet një proces delegjitimimi i pushtetit, si brenda vendit, ashtu edhe në planin ndërkombëtar.

