75 Mall Live Search
09:38 / E Hënë, 22 Mars 2021 / k.v

KEDS angazhon mbi 400 punëtorë në terren pas motit të ligë

KEDS-i ka angazhuar mbi 400 punëtorë në terren për të intervenuar në zonat e afektuara pas motit të ligë që kaploi vendin. Që nga dita e djeshme, dhjetëra ekipe tona janë shpërndarë gjithandej vendit, duke bërë çmos që të përmirësojnë dëmet e shkaktuara në rrjet sa më shpejt që është e mundur.

Ekipet po punojnë pa ndërprerë, me të gjitha kapacitetet në dispozicion në mënyrë që konsumatorëve t’u rikthehet furnizimi me energji elektrike.

Moti i lig, i cili po vazhdon edhe gjatë ditës së sotme, ka shkaktuar dëme në rrjet. Zonat të cilat janë më të afektuara nga dëmet në rrjet janë: Peja, Gjakova, Prizreni, Ferizaj dhe pjesërisht Prishtina dhe Mitrovica.

Reshjet e vazhdueshme të borës kanë bërë që në zonat periferike dhe ato malore, depërtimi deri tek avaria e shfaqur në rrjet të jetë më i vështirë por ekipet tona po bëjnë përpjekje maksimale që edhe në ato zona të rregullohen dëmet dhe të rikthehet furnizimi me energji.

KEDS-i është duke bërë monitorimin e rrjetit në kohë reale përmes programit “Kosovanet”, ku evidentimi i avarive po bëhet në kohë rekorde, ndërkaq përmes sistemit “SCADA” po mundësohet kontrollimi i nënstacioneve dhe intervenimi më i shpejtë nga ekipet tona.

KEDS-i u bën apel qytetarëve që të bashkëpunojnë me ekipet në terren dhe nëse shohin ndonjë avari në rrjet ta raportojnë atë përmes Qendrës së thirrjes në numrin pa pagesë: 0800 791 00 dhe rrjeteve sociale të kompanisë.