75 Mall Live Search
15:29 / E Enjte, 27 Shkurt 2025 / mp

KEDS bëri 100 mijë kontrolle me 2024 kundër vjedhjeve të rrymës, kapi në flagrancë mbi 5300 sosh

Me qëllim që të zvogëlohen humbjet në maksimum, KEDS ka intensifikuar ndjeshëm kontrollet anekënd Kosovës kundër vjedhjes së energjisë elektrike.

Ekipet inspektuese të kompanisë, nuk janë ndalur as ditën, as natën me qëllim që të arrihet efekti maksimal dhe kjo çështje të rregullohet.

 Vetëm gjatë vitit 2024 janë realizuar afro 100 mijë kontrolle, nga të cilat mbi 5,300 raste janë identifikuar si keqpërdorime të energjisë elektrike. Si rezultat i këtyre aksioneve dhe angazhimit maksimal të kompanisë edhe në aspektet e tjera, duke përfshirë edhe kampanja vetëdijesuese, ka ardhur deri te zvogëlimi i humbjeve në 14.49 për qind, ku përfshihen edhe humbjet teknike.

Që nga nisja e operimeve-për pak më tepër se 10 vjet, kompania ka arritur t’i ulë për gati 2.5 herë humbjet, të cilat ishin trashëguar në nivel mjaft të lartë.

Edhe në pjesën e parë të vitit 2025, aksionet vazhdojnë. Paralel me këtë edhe kampanjat për vetëdijesimin e konsumatorëve. Së fundmi, KEDS ka filluar shpërndarjen e fletushkave në zona të identifikuara si problematike, ku vjedhja e energjisë elektrike është në nivele më të larta.

Në këto zona, konsumatorët që furnizohen nga një transformator i caktuar po marrin paralajmërime të qarta: ata janë tashmë nën monitorimin e KEDS-it dhe do të përballen me kontrolle të vazhdueshme derisa të identifikohen dhe ndëshkohen të gjithë keqpërdoruesit.

KEDS mbetet i përkushtuar në luftimin e kësaj dukurie të shëmtuar në shoqërinë tonë dhe riafirmon se do të ketë tolerancë zero ndaj keqpërdoruesve të energjisë elektrike. Çdo konsumator që abuzon me rrjetin elektrik jo vetëm që rrezikon të ndëshkohet ligjërisht, por gjithashtu ndikon negativisht në cilësinë e furnizimit për ta dhe konsumatorët përreth.

Për më shumë informata dhe për të raportuar raste të keqpërdorimit të energjisë elektrike, inkurajojmë qytetarët të kontaktojnë KEDS-in përmes kanaleve zyrtare të komunikimit. Informatat do të trajtohen me konfidencialitetin më të lartë.

KEDS mbetet i përkushtuar për një furnizim sa më të drejtë, më të qëndrueshëm dhe më cilësor me energji elektrike.

Vjedhja e rrymës t’len pa rrymë!