75 Mall Live Search
15:26 / E Premte, 19 Mars 2021 / k.v

KEDS dënon sulmet që po u bëhen punëtorëve gjatë kryerjes së detyrës

Sot në Prizren një punëtor i KEDS-it është sulmuar fizikisht nga konsumatori gjatë kohës sa ai ishte duke kryer detyrën e tij. Si pasojë e këtij sulmi, punëtori i KEDS-it ka marrë trajtim mjekësor, ndërkaq sulmuesi është shoqëruar në polici.

Raste të tilla të sulmeve agresive ndaj punëtorëve të KEDS-it janë një dukuri shqetësuese në rritje, që si pasojë po rrezikojnë jetën dhe shëndetin e punëtorëve të KEDS-it, e të cilat janë të patolerueshme.

Kështu, KEDS-i u bën thirrje konsumatorëve që t’i ndalin sulmet dhe të mos pengohen zyrtarët e kompanisë në kryerjen e detyrave të tyre zyrtare.

Njëherësh, KEDS-i kërkon nga organet e drejtësisë që të trajtojnë me seriozitetin më të lartë secilin rast të pengimit të punëtorëve të kompanisë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe të ndërmerren veprime konkrete ligjore që ndihmojnë në parandalimin e këtyre dukurive negative. Kjo pasi veprimet e tilla do të kenë impakt në distribuimin e energjisë elektrike te të gjithë konsumatorët.

KEDS-i, mbetet e përkushtuar për t’u shërbyer qytetarëve në ofrimin e shërbimeve të distribuimit dhe furnizimit me energji elektrike si edhe në trajtimin e barabartë të gjithsecilit.