17:26 / E Mërkurë, 04 Nëntor 2020 / Blerim

KEDS dhe Komuna e Pejës investojnë miliona euro në Rugovë

KEDS-i dhe Komuna e Pejës kanë bashkuar forcat të mërkurën që të investojnë mbi 2 milionë euro në rrjetin elektrik të Rugovës. Kjo është arritur pas marrëveshjes që nënshruan Kryeshefi Ekzekutiv i KEDS-it, z. Alper Erbas dhe Kryetari i Pejës, z. Gazmend Muhaxheri.

“I tërë rrjeti do të zëvëndësohet me rrjetin e ri duke përfshirë të gjitha fshatrat e kësaj treve. Pra, 89 kilometra do të jenë linjë komplet e re, pjesa më e madhe nëntokësore. Pra, shërbimet për këtë pjesë do të jenë shumë më kualitative”, tha Erbas. KEDS kishte trashëguar një rrjet të vjetëruar në atë pjesë, por tashmë gjithcka do të jetë e tejkaluar.

“KEDS po investon në mënyrë të vazhdueshme anekënd vendit dhe ky është një lajm i mirë për qytetarët. Investimi në Rugovë është jetik edhe për zhvillimin e turizmit në rajonin e Rugovës, që ndikon direkt edhe në zhvillim ekonomik”, tha Muhaxheri. Projekti do të fillojë menjëherë dhe parashihet të kryhet në periudhën më të shkurtër të mundshme.

Kjo linjë do të ketë edhe mundësinë e dyfishimit të kapaciteteve, duke e zgjidhë cështjen e furnizimit me energji elektrike të kësaj treve turistike të Kosovës për një kohë të gjatë. Problematike gjithashtu ka qenë kalimi i linjave ajrore në terrene të vështira dhe me drunjë, degët e të cilëve vazhdimisht binin mbi tela duke shkaktuar prishje të shpeshta. Tashmë, pjesa më e madhe do të jetë buzë rrugës dhe me kabllo nëntokësore në pjesën më të madhe, duke i eleminuar përgjithmonë defektet e tilla apo intervenimet e mundimshme. Por, ky nuk do të jetë investimi i vetëm që KEDS ka paraparë për Rajonin e Dukagjinit. Në tri qytetet e saj, përkatësisht në Pejë, Gjakovë dhe Istog do të vendosën linjat e Tensionit të Mesëm nën tokë dhe do të dyfishohen kapacitetet nga 10 në 20 kilovolt, njëjtë sic po veprohet në Prishtinë.

Ky investim do të bëjë që kushtet atmosferike, sidomos erërat e fuqishmë që godasin më së tepërmi këtë pjesë të vendit, të kenë ndikime minimale në furnizimin me energji elektrike, sikurse të tejkalohen mbinarkesat dhe të krijohen linja alternative për konsumatorë.