KEDS lansoi platformën e re digjitale SSI për furnizuesit e energjisë elektrike
Kosova po hyn në një fazë të re të liberalizimit të tregut të energjisë elektrike, proces që fillimisht përfshin konsumatorët komercialë me mbi 50 të punësuar ose me qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro.
Në këtë kuadër, KEDS ka lansuar platformën e re digjitale SSI – Sistemi i Informimit të Furnizuesve, e cila është integruar në uebfaqen zyrtare të kompanisë dhe është projektuar për t’ua lehtësuar punën furnizuesve të licencuar të energjisë elektrike në vend.
Platforma SSI u mundëson furnizuesve me portofolio aktive qasje të plotë në të dhënat e detajuara të konsumit të klientëve të tyre, përfshirë edhe konsumatorët vetëprodhues. Përmes kësaj platforme, furnizuesit kanë mundësi të analizojnë dhe të parashohin saktë konsumin ditor të energjisë elektrike për ditët në vijim, duke e bërë shumë më efikase planifikimin e tyre për sigurimin e energjisë në treg.
KEDS ka zhvilluar këtë sistem modern me synimin për të rritur transparencën, cilësinë e shërbimeve dhe mbështetjen ndaj furnizuesve të licencuar. Në të janë adresuar të gjitha kërkesat e shprehura nga furnizuesit gjatë procesit të zhvillimit, por edhe një sërë funksionalitetesh shtesë që tejkalojnë pritjet e tyre, duke përfshirë analiza inteligjente dhe parashikime automatike të konsumit.
Platforma SSI karakterizohet me nivel të lartë sigurie dhe besueshmërie, është e aksesueshme në mënyrë të lehtë dhe ofron ndërfaqe miqësore për përdoruesit. Të gjithë furnizuesit e licencuar me portofolio aktive tashmë kanë qasje në sistem dhe mund ta përdorin atë për të menaxhuar në mënyrë më profesionale dhe efikase marrëdhëniet me konsumatorët e tyre.
Ky hap paraqet një tjetër zhvillim të rëndësishëm në modernizimin e sektorit të energjisë në Kosovë dhe në ndërtimin e një tregu të hapur, konkurrues dhe transparent të energjisë elektrike. /IndeksOnline/

