13:48 / E Martë, 05 Prill 2022 / k.v

KEDS për herë të parë po vjen këtë vit me programin “Vajzat në Teknologji – Girls TECH”

Sot zyrtarisht Girls TECH po hap dyert për 15 vajza që duan të marrin aftësim profesional në fushën e TIK.

Ky program është themeluar dhe mbështetur nga KEDS, në kuadër të programit KEDS Academy, që këtë vit mbushi 9 vite. Për t’i shtyrë dhe mbështetur vajzat të ndjekin karrierën e tyre edhe në drejtime të Teknologjisë Informative dhe fushës së Programimit, KEDS, po angazhohet që kjo të bëhet realitet.

Pjesë e këtij programi mund të bëhet secila nga nxënëset e shkollave të Mesme Profesionale, profili i Informatikës, dhe Gjimnazet, klasa e 12-të, të cilat kanë shkathtësi bazike në përdorimin e Teknologjisë Informative, si dhe sukses të mirë në vitin paraprak.

Duke filluar nga muaji maj i këtij viti, Girls TECH do të jetë dera e hapur për të gjitha ato vajza qe duan të ngritin njohuritë e tyre në fushat e lartë përmendura.

Numri i vajzave të përzgjedhura do të jetë 15, ndërkaq që aplikimi është hapur sot për të gjitha të interesuarat.

Për hartimin dhe përpilimin e moduleve të programit, janë përkujdesur profesionistët e fushës përkatëse të KEDS dhe tani gjithçka është gati për të filluar implementimin.

Ideatorja e projektit, Valbona Kadrijaj, konfirmon se tashmë gjithçka është gati për fillimin e programit Girls TECH. Implementimi i programit do të bëhet nga resurse të brendshme të kompanisë.

“Ne në KEDS kemi bërë gjithçka gati për të filluar me realizimin e programit. Kemi identifikuar resurset e nevojshme humane, si dhe kemi krijuar infrastrukturën fizike me qëllim të realizimit të projektit. Gjithashtu edhe stafi mbështetës dhe trajnues është gati, ku përpos angazhimeve të Departamentit për Cilësi, Siguri dhe Trajnime, përkrahje në zbatim kemi edhe nga Departamenti i IT-së. Përveç aftësimit profesional, pas përfundimit të programit për ato vajza që tregojnë përkushtim të madh në ndjekjen e programit, do të jenë dyert e hapura edhe për punësim.

Në përfundim të programit, për më të mirat, do të ofrohet mundësia e punësimit në kompani”, u shpreh Kadrijaj.

KEDS mbetet kompani e përkushtuar në avancimin profesional të të rinjve kosovarë, përmes projekteve të shumta zhvillimore në sektorin e Përgjegjësisë Shoqërore të Korporatës (CSR). Gjithashtu, ky program po realizohet edhe si zotim i kompanisë për fuqizimin e rolit të gruas në kompani dhe komunitet, me nënshkrimin e shtatë (7) parimeve të UN Women.

Programi do të fillojë me Distriktin e Prishtinës, ku përfshihen këto komuna: Prishtina, Podujeva, Obiliqi, Fushë -Kosova dhe Drenasi, ndërkaq aplikimi do të jetë i hapur deri më datë 22 prill 2022.

Për më shumë detaje dhe informata, klikoni KËTU