75 Mall Live Search
15:27 / E Hënë, 08 Shtator 2025 / P M

KEDS po dyfishon kapacitet e rrjetit elektrik në Ferizaj

Ferizaj po hyn në një fazë të re të përmirësimit të infrastrukturës energjetike. Aktualisht, në qytetin me rritjen më të shpejtë të popullatës dhe ekonomike në Kosovë, është duke u realizuar një projekt madhor i konvertimit të daljeve të rrjetit të shpërndarjes nga 10 kV në 20 kV. Projekti përfshin gjithsej tetë Dalje, duke dyfishuar kështu kapacitetin e furnizimit me energji elektrike për mijëra qytetarë dhe biznese të zonës.

Ky investim strategjik synon të eliminojë mbingarkesat në rrjet, të rrisë sigurinë e furnizimit dhe të ofrojë shërbime shumë më cilësore për konsumatorët. Me përfundimin e projektit, Ferizaj do të ketë një rrjet modern dhe të përgatitur për kërkesat e rritura të konsumit, duke krijuar kushte më të mira për zhvillimin ekonomik dhe social të qytetit.

Projekti është planifikuar të përfundojë brenda këtij viti, duke i dhënë Ferizajt një avantazh të ngjashëm me atë që tashmë është realizuar në Prishtinë, ku ky proces ka sjellë rezultate të prekshme në përmirësimin e cilësisë së shërbimit.

Në kuadër të këtij transformimi, në Nënstacionin Ferizaj 2 tashmë janë vendosur kthina të reja të përshtatura me kapacitetin 20 kV. Ky hap është i një rëndësie të veçantë, pasi garanton që rrjeti do të funksionojë në mënyrë të qëndrueshme dhe pa ndërprerje edhe në kushtet e ngarkesave të larta.

Ky investim është pjesë e një strategjie afatgjatë për modernizimin e rrjetit të shpërndarjes në gjithë Kosovën. Përmes tij, jo vetëm që sigurohet furnizim më stabil dhe efikas, por edhe krijohen parakushtet për integrimin e teknologjive të reja dhe burimeve të qëndrueshme të energjisë.

Me këtë hap, Ferizaj po t’i bashkohet qyteteve që po përfitojnë nga një infrastrukturë moderne energjetike, duke garantuar shërbim më cilësor dhe perspektivë më të mirë për të ardhmen.