75 Mall Live Search
16:27 / E Enjte, 01 Shtator 2022 / Gj. Sh

KEDS: S’do të ketë më reduktime të energjisë

KEDS ka njoftuar se janë ndalur kufizimet e energjisë elektrike me hyrjen në prodhim të bllokut B2 dhe A3, pasi që gjendja është stabilizuar për momentin.

Megjithatë, KEDS thotë se kursimi është i domosdoshëm. “Ftojmë konsumatorët t’i bashkohen thirrjes sonë për kursim të energjisë sepse çdo kilovat është i rëndësishëm të kursehet duke marrë parasysh krizën energjetike që ka kapluar gjithë botën”, thuhet në njoftimin e KEDS.

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) njoftoi se ka përfunduar remontin e bllokut B2, njësi e cila tashmë është rikthyer në funksion dhe është duke prodhuar afro 260 MWh. Gjithashtu, KEK ka përfunduar sanimin e rrjedhjeve të ujit në njësinë A3, e cila është rikthyer në funksion dhe është duke prodhuar afro 130 MWh.

Aktualisht, KEK ka në funksion të prodhimit katër blloqe: A3, A4, B1 dhe B2, të cilat në total prodhojnë afro 800 MWh.

Ndërsa Ministria e Ekonomisë njoftoi se është duke monitoruar situatën e remontit dhe sanimit të blloqeve të Kosovës A dhe Kosovës B nga ana e KEK-ut, për t’u siguruar që këto blloqe do të përmirësojnë sigurinë e furnizimit gjatë dimrit.

Përderisa kthimi i dy blloqeve në funksion luan rol kyç në përmirësimin e situatës energjetike në vend, si dhe sigurisë së furnizimit, Ministria e Ekonomisë bëri thirrje për të gjithë qytetarët dhe bizneset e vendit që të konsumojnë energjinë elektrike në mënyrë racionale në një kohë kur vendi, rajoni dhe Evropa janë duke u përballur me krizën e vështirësuar energjetike.