KEK arrinë rekord të prodhimit

Intervista me Luigj Imerin, u.d. i kryeshefit ekzekutiv të KEK-ut
Pyetje: Si kanë përformuar njësitë prodhuese të energjisë elektrike?
Luigj Imeri: Duke u bazuar në informatat e shërbimeve zyrtare të Korporata Energjetike e Kosovës reflekton se ka arritur një prodhim rekord në historinë e saj. Një prodhim i tillë realisht është arritur në një vit tejet të vështirë si rezultat i pandemisë, e cila ka sfiduar jo vetëm KEK-un por edhe vendin dhe tërë globin. Një rezultat i tillë i arritur me një performancë të mirë është reflektu edhe në aspektin financiar për arsye se vetë prodhimi i cili është bazë për KEK-un ka bërë që ne të kemi edhe një performancë sa i përket të hyrave.
Ky vit përkundër sfidave të tjera përveç asaj të pandemisë, ballafaqohet edhe me një teknologji të vjetër, mirëpo falë angazhimit, bashkëpunimit dhe koordinimit me punëtorët e KEK-ut kemi arritur të realizonim një plan tejet të rëndësishëm dhe të suksesshëm për vetë korporatën si meritë ekskluzivisht e të gjithë punëtorëve të saj.
Pyetje: Çfarë ndikimi kanë pasur remontet te njësitë prodhuese?
Luigj Imeri: Pa diskutim, çdo remont dhe planifikim i cili realizohet sipas objektivave dhe planeve, ndikojnë pozitivisht në njësitë prodhuese. Në këtë drejtim gjatë gjithë vitit janë realizuar me përpikëri të gjitha remontet e planifikuara të cilat kanë reflektuar në arritjen e suksesit të tillë e cila garanton në një stabilitet dhe qëndrueshmëri të furnizimit me energji qoftë termike ashtu edhe elektrike.
Pyetje: Si është duke ecur procesi i shpronësimit?
Luigj Imeri: Si pjesë e realizimit të objektivave të korporatës është pa dyshim edhe procesi i shpronësimit për krijimin e hapësirave të nxjerrjes së produktit themelor siç është qymyri. Në projektin e fundit të shpronësimit prej 129 ha prej së cilës deri tani janë shpronësuar 70 ha.
Pyetje: Sa është vlera e investimeve që ka bërë KEK-u për komunitete?
Luigj Imeri: Ne bëjmë çdo vit investime në komunitet, investime të cilat kapin një shumë prej rreth 200 mijë euro. Në vitin që e lamë për herë të parë kemi bërë një investim në komunitet edhe në Komunën e Fushë- Kosovës në veçanti në atë zonë ku shtrihet territori i korporatës.
Pyetje: Ndodhemi në stinën e dimrit dhe në vitet e fundit në Kosovë kemi reduktime të energjisë. Si është e mundur që njësitë të prodhojnë rekord të energjisë dhe nga ana tjetër qytetarët të mbesin pa energji në këto ditë të ftohta?
Luigj Imeri: KEK-u që nga viti 2013 nuk e ka përgjegjësinë e furnizimit të energjisë të qytetarëve me energji elektrike, një përgjegjësi e cila është kaluar te kompanitë tjera siç është KOSTT-i, KEDS-i, KESCO. E vetmja përgjegjësi e KEK-ut është prodhimi i energjisë, duke i shfrytëzuar kapacitetet e saj maksimale për prodhim të qëndrueshëm dhe plasmanin e saj në treg.
Pyetje: Me cilat sfida është duke u përballuar ose pritet të përballët KEK-u në të ardhmen?
Luigj Imeri: KEK-u i ka planifikimet e tij dhe shpresojmë që pandemia do të përfundojë së shpejti për shkak të numrit të madh të punëtorëve dhe fushëveprimtarisë së korporatës e cila ndërlidhet me punë të ndryshme specifike të punëtorëve në njërën anë dhe nga ana tjetër si sfidë e rëndësishme është edhe realizimi i projekteve, të cilat do të ndikojnë në ripërtëritjen e pajisjeve për shkak të vjetërsisë së tyre gjë që e bënë sfiduese operimet tona. Ajo çka ne mendojmë, është edhe çështja e ripërtëritjes së kuadrove për arsye se kemi bëjmë me një moshë mesatare mbi 55-vjeçare e cila na detyron të futemi në projeksion të ripërtëritjes së kuadrove për të cilën nevojitet një kohë të përgatitjes dhe trajnimit profesional të tyre për punë specifike, që ka KEK-u.
Pyetje: Cilat janë objektivat e KEK-ut për vitin 2021?
Luigj Imeri: Objektivat e KEK-ut për këtë vit do të jenë të shumta për shkak të fushë-veprimtarisë së sajë si në aspektin e realizimit të projekteve, të cilat janë tejet të rëndësishme ashtu edhe kemi një bashkëpunim dhe koordinim me Bashkimin Evropian rreth projektit për përmirësimin e ndikimit në ambient, por fatkeqësisht sfiduese na mbetet menaxhimi i situatës së pandemisë si pengesë e realizimit të këtyre projekteve dhe minimizimin e ndotjes së ambientit ku presim që për një periudhë 5- vjeçare të kemi një pasqyrë krejtësisht ndryshe se sa që është aktualisht. Pra, objektiv kryesor i korporatës është realizimi i projekteve kapitale, përmirësimi i ambientit dhe ripërtëritja e kuadrove.