KEK planifikon investime mbi 400 milionë euro në tri vitet e ardhshme
Gjatë periudhës 2025–2027, KEK do të realizojë investime kapitale në vlerë mbi 400 milionë euro, me fokus në modernizimin, rehabilitimin dhe rritjen e sigurisë së kapaciteteve prodhuese, ka bërë të ditur kryeshefi Ekzekutiv i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Gramos Hashani.
Sipas Hashanit, një pjesë e konsiderueshme e këtyre investimeve është e dedikuar për Termocentralin Kosova B, ku parashihet modernizimi i njësive B1 dhe B2.
Vlera e projekteve për modernizimin e TC Kosova B kap shifrën mbi 130 milionë euro, ndërsa projektet mjedisore, përfshirë instalimin e elektrofiltrave dhe sistemit DeNOX, kapin vlerën mbi 99.1 milionë euro.
Siç ka thënë ai, në total, investimet e planifikuara në Kosova B për një periudhë trevjeçare arrijnë në rreth 266 milionë euro, ku disa projekte tashmë janë realizuar.
Po ashtu, për njësinë A3 të Termocentralit Kosova A janë planifikuar investime në vlerë prej rreth 137 milionë euro, me qëllim të rehabilitimit dhe përmirësimit të performancës operacionale. Përveç kësaj, KEK planifikon edhe investime shtesë në Kosova A, përfshirë riparimin e kaldasë së njësisë A5 dhe projekte të tjera përcjellëse.
“Të gjitha këto investime, që në total arrijnë në rreth 413 milionë euro, janë të domosdoshme për rritjen e sigurisë së prodhimit, stabilitetit të sistemit elektroenergjetik dhe rritjen e kapaciteteve prodhuese të vendit”, ka deklaruar kryeshefi i KEK-ut, Gramos Hashani, në një intervistë për ATV, transmeton KosovaPress.
KEK mbetet i përkushtuar që përmes këtyre investimeve strategjike të sigurojë furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike, përmirësim të standardeve mjedisore dhe përmbushje të kërkesave afatgjata të sistemit energjetik të Kosovës./Indeksonline/

