75 Mall Live Search
16:29 / E Premte, 23 Maj 2025 / MSH

KEK-u dhe BE-ja me projektit strategjik të elektrofiltrave dhe sistemit De-NOx “Kosova B”

Korporata Energjetike e Kosovës ka njoftuar se projekti “Masa për Reduktimin e Pluhurit dhe De-NOx në Termocentralin Kosova B, Njësitë B1 dhe B2” ka arritur në fazën para-implementuese.

Më 22 maj, KEK priti një delegacion të lartë të Bashkimit Evropian nga Brukseli, i udhëhequr nga Jiri Plecity, shef i Njësisë, i shoqëruar nga zyrtarë të lartë të Zyrës së BE-së në Prishtinë, si dhe përfaqësues nga Kompania Kontraktuese dhe Ekipi Mbikëqyrës.

Delegacioni vizitoi Termocentralin Kosova B për të marrë një pasqyrë të aktiviteteve në zhvillim dhe të projektit të planifikuar për “Masa për Reduktimin e Pluhurit dhe De-NOx në Termocentralin Kosova B, Njësitë B1 dhe B2.”

“Gjatë vizitës, kryeshefi ekzekutiv i KEK, Gramos Hashani, së bashku me ekipin e menaxhmentit të KEK-ut, informuan delegacionin për përparimin e arritur në sigurimin e kushteve teknike për fillimin e projektit. KEK-u theksoi angazhimin e tij, i cili ka rezultuar me sukses në përfundimin e projekteve të nevojshme, duke përfshirë projektin e dilatimit të kaldajave, i cili ishte parakusht për fillimin e implementimit të projektit të elektrofiltrave dhe De-NOx, duke hapur kështu rrugën për fillimin e këtij projekti strategjik” thuhet në njoftimin e KEK-ut.

Ndërkaq sot u nënshkrua Amandamenti Nr. 9 i kontratës midis Bashkimit Evropian dhe KEK-ut.

“Përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, KEK dhe Kontraktori riafirmuan angazhimin e tyre për të siguruar që projekti të ecë përpara sipas dinamikës së planifikuar. Implementimi i këtij projekti do t’i mundësojë Termocentralit Kosova B të operojë në përputhje të plotë me Direktivat e Emisioneve Industriale të Bashkimit Evropian për pluhurin dhe De-NOx, duke ulur ndotjen e ajrit, veçanërisht në muajt e dimrit, kur është më e dëmshme” deklaron Korporata Energjetike,