75 Mall Live Search
22:58 / E Premte, 16 Janar 2026 / F.R

KEK-u konfirmon daljen e A3-shit nga prodhimi: Situata është e përkohshme

Korporata Energjetike e Kosovës ka njoftuar se sot rreth orës 18:40 është ndalur përkohësisht nga operimi Njësia A3, si pasojë e aktivizimit të relës mekanike të Buchholz-it në bllok-transformatorin energjetik 15.75/220 kV, 240 MVA.

Sipas KEK-ut, ndalja është bërë në përputhje me standardet dhe parametrat e sigurisë teknike, ndërsa ekipet profesionale dhe teknike janë në terren duke kryer verifikimet dhe kontrollimet e nevojshme për të identifikuar shkakun dhe për të ndërmarrë masat adekuate për sanimin e situatës, shkruan IndeksOnline.

Nga KEK theksojnë se, pavarësisht ndaljes së Njësisë A3, operimi i sistemit elektroenergjetik po vazhdon në mënyrë të qëndrueshme dhe të kontrolluar. Aktualisht, prodhimi i energjisë elektrike realizohet përmes katër njësive gjeneruese: A4, A5, B1 dhe B2, në përputhje me planin e prodhimit dhe bilancin energjetik të aprovuar.

Po ashtu, bëhet e ditur se njësia e pestë mund të aktivizohet sipas nevojës dhe parametrave teknikë, me qëllim të përballimit të rritjes së konsumit, pa rrezikuar stabilitetin dhe sigurinë operative të sistemit.

Në fund, KEK sh.a. ka falënderuar stafin teknik dhe punonjësit për reagimin profesional dhe angazhimin e vazhdueshëm në garantimin e operimit të sigurt dhe të besueshëm të kapaciteteve prodhuese./IndeksOnline/