75 Mall Live Search
12:24 / E Premte, 04 Korrik 2025 / S Z

KEK-u pezullon tenderin 137- milionësh, Bajrami flet për bjë skemë të mundshme korruptive

Vetëm një ditë para afatit final për dorëzimin e ofertave, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka pezulluar tenderin për “Rehabilitimin dhe modernizimin e njësisë A3” në termocentralin “Kosova A”, me vlerë rreth 137 milionë euro.

Lidhur me këtë zhvillim ka reaguar deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, duke ngritur si çështje mënyrën se si është menaxhuar ky proces tenderues.

Sipas saj, ky tender është përcjell me mungesë transparence dhe devijime procedurale për muaj me radhë, ndërsa ajo shfaq dyshime se pezullimi i tenderit është një hap për të mbuluar një skemë të mundshme korruptive.

“Po flasim për njësinë A3, që sipas vetë KEK-ut, kjo njësi prodhon rreth 10% të kërkesës së energjisë në Kosovë, duke e bërë tenderin jetik për sigurinë energjetike”, ka shkruar ajo në profilin e saj në Facebook.

Deputetja ka ngritur një sërë pyetjesh që sipas saj mbeten pa përgjigje:

“1. Pse u pezullua në momentin e fundit, kur procesi duhej të përfundonte? A po tentohet të fshihet ndonjë shkelje e mundshme ligjore? A po i jepet kohë ndonjë kompanie të favorizuar për të rregulluar ofertën? Pse u fshinë ofertat e dorëzuara nga sistemi dhe u kërkua ridorëzimi i tyre nga fillimi? Pse nuk u anulua plotësisht tenderi, nëse ka kaq shumë parregullsi?”,

“Ky pezullim nuk duket si veprim përgjegjës, por si një hap për të mbuluar një skemë të mundshme korruptive me vlerë 137 milionë euro. Pezullimi i sotëm duket si manovra e radhës për ta rikthyer nesër tenderin me të njëjtat probleme dhe përfitues të dyshimtë. Tenderi duhet anuluar plotësisht dhe aktorët e përfshirë duhet të hetohen deri në fund”, u shpreh deputetja Bajrami.

Ajo tha se derisa ka “skema të tilla në veprim dhe të paprekura nga hetuesia, qytetarët po paguajnë çmimin e lartë të importit të energjisë e fitimet e tregtarëve të energjisë po rritën në mënyrë eksponenciale”.