18:15 / E Martë, 26 Shkurt 2019 / indeksADMonline

KEK-u shpalos projektin gjigant të parkut më të madh solar në rajon

Gjiganti energjetik, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) së shpejti fillon projektin me ambicioz në vend të prodhimit të energjisë elektrike nga panele solare.

KEK-u ka disa muaj që ka filluar këtë projekt gjigant dhe tani është në fazën përfundimtare të tij, kur edhe do të shpalos detajet e kapaciteteve dhe investimet milionëshe në këtë projekt.

Kujtojmë se edhe drejtori menaxhues i KEK-ut, Njazi Thaçi në shumë paraqitje publike të mëparshme e ka përmendur se shumë shpejtë pritet të fillojë së implementuari projekti në fjalë.

Zona e paraparë ku do të krijohet parku më i madh solar, që sipas informatave brenda KEK-ut, do të jetë më i madhi në rajon, është paraparë të jetë në tokat e ashtuquajtura të degraduara, ku deri më tash është nxjerrë thëngjilli.

Projekti që quhet “Muri i Gjelbër” e që do të ndërtohet në partneritet me Komunën e Obiliqit, do të mbulojë gjithë tokat me gjelbërim dhe panele solare.

“KEK-u i ka të gjitha kushtet ideale për të rritur kapacitetet e energjisë elektrike me panele solare. E kemi token tonë, rrjetin, shpërndarjen dhe gjithë infrastrukturën dhe eksperiencën e nevojshme. E mirë e kësaj ideje është se KEK-u është ndërmarrje publike dhe në këtë rast sikur edhe prodhimi që e kemi nga thëngjilli e që qytetarëve tanë i shitet me çmim shumëfish më të lirë sesa çmimi i tregut edhe kjo energji mund t’i shpërndahet qytetarëve me kosto shumëfish më të lirë sesa qe është çmimi i energjisë solare në treg”, kështu ka bërë të ditur për FakePlus një zyrtar i KEK-ut.

Sipas tij, brenda pak ditësh do të shpalosen me shumë informata rreth këtij investimi.

Ndryshe, sipas ueb faqeve on-line, çmimi i energjisë solare në treg aktualisht është rreth 160 euro megavati, ndërsa çmimi që aktualisht KEK-u e shet për konsumatorët e brendshëm është vetëm 29 euro megavati.

Duhet theksuar se edhe njohës të fushës së energjisë së ripërtërishme kanë deklaruar se Kosova është vend i përshtatshëm për prodhim të energjisë elektrike dhe termike nga ajo solare. Madje sipas tyre, Kosova hyn në zonën e dytë me potencialin më të madh solar në vendet e Evropës.