75 Mall Live Search
17:27 / E Premte, 03 Korrik 2026 / MSH1

KEK-u tejkalon kërkesën për konsum: Në qershor arrin të ofrojë kapacitete prej 108.2%

Korporata Energjetike e Kosovës njofton se ka shënuar një tjetër rezultat të jashtëzakonshëm operacional, duke arritur që gjatë muajit qershor të sigurojë kapacitete prodhuese që tejkalojnë kërkesën për konsum të rregulluar, duke konfirmuar edhe një herë rolin e saj kyç në garantimin e sigurisë energjetike të Republikës së Kosovës.

Të dhënat kryesore, të ndara nga KEK-u, janë si në vijim:

Kapacitetet në dispozicion: 305,916 MWh;

Kërkesa për konsum: 282,608 MWh;

Kapaciteti i ofruar: 108.2%;

Tejkalimi i kërkesës për konsum: 8.2%.

Sipas të dhënave operative, gjatë muajit qershor, KEK-u ka vënë në dispozicion kapacitete prodhuese prej gjithsej 305,916 MWh energji elektrike, ndërsa kërkesa për konsum ka qenë 282,608 MWh, duke rezultuar në një kapacitet të ofruar prej 108.2%, respektivisht duke tejkaluar kërkesën për konsum me 8.2%.

“Veçanërisht i rëndësishëm është fakti se, gjatë pjesës më të madhe të muajit, pas rikthimit në operim të njësive prodhuese, KEK ka arritur të ofrojë mbi 120% të kërkesës ditore për konsum, duke konfirmuar stabilitetin operacional, besueshmërinë e kapaciteteve prodhuese dhe përkushtimin e vazhdueshëm për garantimin e sigurisë energjetike të vendit” thuhet në njoftim.

Nga KEK-u vlerësojnë se ky rezultat merr peshë edhe më të madhe duke pasur parasysh se është arritur në një periudhë kur Korporata po realizon njëkohësisht programin më të madh të investimeve dhe modernizimit në historinë e saj.