19:25 / E Enjte, 18 Gusht 2022 / MSH

KEK-ut i delegohen detyra shtesë rreth sigurimit të energjisë elektrike

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) njofton opinionin e gjerë publik se KEK-ut i janë deleguar detyra shtesë për të siguruar energji elektrike, përkundër faktit se kjo përgjegjësi është e furnizuesit publik.

Lidhur me këtë, KEK sot ka pranuar disa rekomandime nga Komiteti Teknik për Energji.

Rekomandimi kryesor është që KEK të shfrytëzojë mjetet e mbetura (rreth 7 milionë Euro) nga subvencioni i bartur nga Qeveria e Kosovës për import të energjisë elektrike, për të mbuluar kërkesën vendore, pra me qëllim të furnizimit të pandërprerë dhe eliminimit të devijimeve.

Aktualisht, KEK është duke punuar intensivisht me Ministrinë e Ekonomisë në finalizimin e marrëveshjes për jetësimin e rekomandimeve të Komitetit Teknik të Energjisë.

Për më tepër, në kohën kur në vendin tonë rritet konsumi, KEK po vazhdon të pranoj një sasi të caktuar të energjisë elektrike nga Korporata Elektro-energjetike Shqiptare (KESH).

Kjo sasi po merret nga depozitimi që KEK-u kishte bërë për disa muaj në KESH dhe po vazhdon të depozitojë sa herë që KEK-u ka teprica. E gjithë kjo me qëllim furnizimit të konsumatorëve fundorë dhe evitimin e reduktimeve.

Në këtë drejtim, KEK deri më tani ka depozituar mbi 120.000 MWh, ndërsa gjatë 4 ditëve të fundit nga KESH-i kemi pranuar rreth 3500 MWh.