12:46 / E Mërkurë, 08 Prill 2020 / indeksADMonline

Këndet e ambasadës amerikane në Kosovë, prodhojnë maska për mjekët kosovarë

Këndet Amerikane të Ambasadës së Sh.B.A-ve janë duke u shërbyer me printerin e tyre të teknologjisë 3D për të luftuar COVID-19 në Kosovë, duke prodhuar maska për fytyrë për qendrat lokale të kujdesit shëndetësor, bëhet e ditur përmes një njoftimi të Ambasadës Amerikne në Kosovë.

Aktualisht këndi Amerikan në Prizren është duke prodhuar 100 maska për fytyrë duke përdorur printerin e tyre 3D dhe teknologjinë e lapsit 3D për t’i i dhuruar ato në qendrat shëndetësore lokale në koordinim me Drejtorinë e Shëndetësisë së Komunës.

“Falë mbështetjes nga profesori inxhinierik i Universitetit të Prishtinës Shaban Buza, ata prodhuan me sukses sasinë e parë të maskave praktike, të cilësisë  së lartë. Që nga 8 prilli, ata kanë prodhuar 50 maska, duke i dhuruar ato në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare dhe Qendrën e Emergjencës, si në Prizren ashtu edhe klinikave private, dentistëve dhe teknikëve laboratorik”, thekson komunikata.

Në këtë komunikatë bëhet e ditur po ashtu se Këndi Amerikan në Prishtinë huazoi printerin e tij 3D me pjesë përcjellëse për BONEVET-it në Prishtinë për të mbështetur prodhimin e maskave për fytyrë për punëtorët e shëndetësisë. Duke punuar me partnerët e tyre, vullnetarët dhe komunitetin, BONEVET ka rritur prodhimin e maskave për të mbuluar nevojat e spitaleve dhe qendrave mjekësore, policisë dhe shërbimeve të tjera publike në gjithë Kosovën.