Këngët patriotike më të dëgjuara për familjen Jashari
Marsi është muaj i sakrificës, heroizmit dhe krenarisë për popullin tonë.
Në këtë muaj kujtohen ata që me gjakun e tyre i dhanë jetë dhe liri një populli të vuajtur nga padrejtësitë e armikut serb. Prandaj çdo kujtim, varg, a këngë për familjen Jashari do të ishte më e pakta që mund ta bëjmë.
Artistët kosovarë përgjatë këtyre dy dekadave i shkruan dhe i kënduan kësaj familjeje, veçmas komandantit legjendar, Adem Jashari, shkruan Indeksonline.
Këto krijime artistike sa vijnë e shtohen, duke ia rikujtuar popullit, gjeneratave të reja dhe mbarë botës, që lufta nisi dhe u fitua nga gjaku i dëshmorëve.
Një nga këngët që dëgjohet sa herë vjen marsi është ajo “Mora fjalë” nga Shkurte Fejza.
Në mesin e këngëve që i kushtohet familjes Jashari është edhe ajo e kantautorit kosovar Ilir Shaqirit “Sërish vjen marsi”.
Citojmë vargjet e para të këtij projekti muzikor, i thurur aq me mjeshtëri nga artisti nga Drenica.
“Sërish vjen marsi, sërish vjen stina, të rënët e të gjallët bëhen tok. Vesë as shi, s’duron lëndina, burrëria nuk duron lot”.
Edhe Violetë Kukaj, para tri vitesh shkriu zërin e saj në vargjet e këngës “Ai është gjallë”.
Një këngë për heorin legjendar, ia kushtoi edhe këngëtarja Leonora Jakupi, të cilin ajo e ka titulluar “Prite prite Adem Jasharin”.
Këngë për familjen heroike, Adem e Hamëz Jasharin i kushtuan edhe: Afërdita Demaku, Vëllezërit Osaj, Nikollë Nikprelaj, Meda e shumë të tjerë.
Derisa heroizmi dhe sakrifica e tyre do të jetojë përherë në historinë e popullit tonë, ata do të përjetësohen përherë në pendën e këngën shqipe./Indeksonline/