Këngëtari komenton me ironi arrestimin në Mançester

Chris Brown, një muaj pas arrestimit të tij në Mançester për një sulm të dyshuar me shishe ndaj një producenti muzikor, u ngjit në skenë në të njëjtin qytet, ku nuk ngurroi të bënte një koment ironik për situatën.
Gjatë koncertit të së dielës në Co-Op Live Arena, në kuadër të turneut të tij “Breezy Bowl XX”, këngëtari 36-vjeçar u shfaq i qetë dhe në humor, pavarësisht problemeve të vazhdueshme me drejtësinë.
Në një moment gjatë performancës, ai iu drejtua publikut: “Dua vetëm t’ju them të gjithëve, ju dua të gjithëve deri në vdekje, jam shumë mirënjohës që munda të vij këtu sonte. Faleminderit të gjithëve që më pritët dhe më mbështetët – dhe faleminderit burgut, ishit vërtet të mirë”, – tha ai me buzëqeshje, shkruan DailyMail
Ky koment vjen pak javë pasi Brown u arrestua më 15 maj në Mançester, për një incident të ndodhur në Londër në shkurt 2023, ku ai akuzohet se ka sulmuar producentin Abe Diaw në një klub nate.
Sipas akuzës, Brown dyshohet se e goditi viktimën disa herë me një shishe në kokë dhe më pas e grushtoi dhe e shqelmoi ndërsa ishte në tokë. Ngjarja është regjistruar nga kamerat e sigurisë dhe është cilësuar si një sulm “jashtëzakonisht serioz” nga prokuroria.
Pas arrestimit, këngëtari u lirua me një garanci prej rreth 5.9 milionë eurosh, me kushte të rrepta që përfshijnë ndalimin e kontaktit me personat e përfshirë në çështje dhe ndalimin e frekuentimit të klubit ku ndodhi incidenti.
Pasaporta e tij mbahet nga policia britanike dhe i dorëzohet vetëm në raste të udhëtimeve zyrtare për turne, në bashkëpunim me avokatë britanikë dhe amerikanë.
Gjyqtari Tony Baumgartner, gjatë shqyrtimit të lirimit me kusht, kërkoi informacion shtesë për pasurinë e Brown për të vlerësuar garancinë financiare, duke deklaruar: “Mund të jenë shumë para për të ose jo shumë. Duhet të kemi një ide të qartë të pasurisë së tij”.
Chris Brown është planifikuar të paraqitet në gjykatë më 16 qershor në Gjykatën e Magjistraturës së Mançesterit, ndërsa një seancë e dytë për menaxhimin e çështjes pritet të mbahet më 24 tetor.