75 Mall Live Search
19:30 / E Diele, 17 Gusht 2025 / AR

Këngëtari shtrohet në klinikë psikiatrike, dyshime për ‘marifete’ nga e motra dhe babai

Këngëtari i mirënjohur grek Giorgos Mazonakis prej katër ditësh ndodhet i shtruar në spitalin psikiatrik “Dromokaiteio” pas një urdhri të prokurorit, me të cilin u shtrua në spital mesditën e së enjtes së kaluar.

Sipas mediave greke aludohet se mbyllja e tij në klinikë psikiatrike është bërë me ‘marifete’ nga motra dhe babai i tij, teksa motra ka qenë më herët dhe menaxhere e karrierës së tij, por mes tyre ka pasur konflikte për çështje të ardhurash dhe pasurie.

Pas lajmit për shtrimin e tij në spital, reagimet nga njerëz të njohur të showbizit grek e figurave publike, por nga publiku i gjerë, nuk kanë të ndalur.

Ata shkruajnë se kjo që i është bërë një prej këngëtarëve ikonikë të Greqisë është e patolerueshme dhe turpëruese, duke kërkuar që të merren masa menjëherë që ai të rikthehet në shtëpi.

Ata shprehen se edhe nëse ai ka pasur nevojë për mjekim, kjo nuk bëhet në këtë mënyrë duke i ulur figurën publikisht një artisti të atij niveli.

Ndërkohë ende nuk ka pasur reagime nga familjarët e këngëtarit.

Avokati i këngëtarit ka treguar se prej më shumë se dy vitesh ai nuk ka më kontakt me familjarët dhe se ndodhen në gjyq për çështje pronësie.

“Jorgo është shumë mirë, është i trishtuar për mënyrë e tmerrshme të mbylljes në klinikë nga pjesëtarët e familjes, por është plotësisht i shëndetshëm. Në dy vitet e fundit Jorgo nuk ka asnjë kontakt me familjarët sepse janë në një gjyq për pasurinë, ne ishim bërë gati që në shtator të bënim disa denoncime për abuzime të rënda që ka bërë motra e tij, dhe tani ndodhi ajo që ndodhi.

Kushdo mund të shkojë në prokurori dhe të kërkojë që një pjesëtarë i familjes së tij të shtrohet në klinikë me pretendime se nuk është i shëndetshëm mendërisht, kjo pastaj ndodh me ose pa kontroll. Kini para sysh që ai u mor në një ditë feste kur institucionet ishin pushim.

Para një muaj familjarët e tij kanë shkuar në shtëpinë e tij dhe kanë kërkuar që të flasin, por ai nuk i ka pranuar dhe u ka kërkuar që të largohen, ndërkohë para 4 muajsh ka ndodhur një takim me motrën e tij në praninë time, ku kemi tentuar të gjejmë zgjidhje për problemet që jemi në gjyq, por nuk e kemi arritur dhe do vazhdonim seancat gjyqësore ”, tha ai.