18:07 / E Mërkurë, 17 Prill 2024 / LB

Keni të fala të gjithë/Krasniqi viziton Thaçin e Veselin në Hagë

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka vizituar në Hagë ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentarin Kadri Veseli.

Krasniqi thotë se ndonëse liria fizike e tyre është e kufizuar, shpirti i tyre mbetet i pathyer.

“Fjalët, qëndrimi dhe kurajo e tyre, më bindin në secilën vizitë se të tillë do të mbeten deri në ditën e madhe të rikthimit në atdhe”, ka shkruar ndër të tjera Krasniqi.

Postimi i plotë i kreut të PDK-së:

Pas gati gjashtë muajsh, sot vizitova përsëri Presidentin Thaçi dhe Kryetarin Veseli në Hagë. I gjeta ashtu siç i kisha lënë herën e fundit: me moral të lartë dhe besimplotë në të drejtën e tyre, në të drejtën e Kosovës dhe në të drejtën e luftës së shenjtë të popullit tonë për liri.

Të gjithë bashkëndjejnë dhe jetojnë çdo ditë me fatin e Kosovës dhe qytetarëve tanë. Ndonëse liria fizike e tyre është e kufizuar, shpirti i tyre mbetet i pathyer.

Fjalët, qëndrimi dhe kurajo e tyre, më bindin në secilën vizitë se të tillë do të mbeten deri në ditën e madhe të rikthimit në atdhe.

Megjithatë, qëndrimi i tyre i padrejtë në këtë vend, vazhdon të na rikujtoj sakrificat dhe çmimin e lartë të lirisë – që populli ynë vazhdon të paguaj edhe pas 25 vitesh.

Keni të fala të gjithë, pa përjashtim, nga çlirimtarët tanë.

Pa dyshim, dielli do të lind përsëri! ☀️🙏