75 Mall Live Search
16:06 / E Premte, 20 Qershor 2025 / MSH

Keqpërdori detyrën/ Prokuroria kërkon paraburgimin e zyrtares komunale të Prizrenit

Prokuroria Themelore e Prizrenit, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh, ndaj të dyshuarës Shpresa Osmanollaj, zyrtare në Drejtorinë e Urbanizmit.

Në njoftimin e Prokurorisë bëhet e ditur se Osmanollaj gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh, për shkak të dyshimit të bazuar se e njëjta ka kryer veprën penale penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

“Sipas kërkesës, e pandehura Sh.O., me datë 25.09.2024 në Prizren, duke vepruar në cilësi të personit zyrtar – Bashkëpunëtore Profesionale në Drejtorinë e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor (DUPH) në Komunën e Prizrenit, në cilësi të kryetares së komisionit për pranimin teknik të objektit banesor cili gjendet në rrugën “Villiam Voker” në Prizren, ka tejkaluar autorizimet zyrtare ashtu që në kundërshtim Ligjin për Ndërtim ka lëshuar certifikatën për përdorimin e objektit banesor, që i plotëson kushtet për pranim teknik, edhe pse e ka ditur se ky objekt sipas procedurës administrative në Drejtorinë e Inspektorateve ka pasur tejkalim të lejes ndërtimore pasi që jashtë lejes ndërtimore investitori e ka ndërtuar katin e tetë (8) të banimit, duke i shkaktuar dobi investitorit – të pandehurit A.K., në vlerën e banesave të ndërtuara në katin e tetë (8) dhe dëm Komunës së Prizrenit në vlerën e taksave të pa paguara për ndërtim, njëkohësisht duke e dëmtuar edhe imazhin e panoramës së qytetit të Prizrenit.

Po ashtu, e pandehura Sh.O., me datë 15.10.2024 në Prizren, në cilësi të personit zyrtar – bashkëpunëtore profesionale në Drejtorinë e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit, gjatë lëshimit të lejeve ndërtimore për investitorin A.K., i cili ka qenë investitor në objektin “NN 1” dhe “NN 2” ka lëshuar pëlqimin për ndarjen e parcelave,me ç’rast ka dhënë leje të ndërtimit të dy objekteve në të njëjtën parcelë kadastrale, duke i sjellë investitorit përfitim pronësor në vlerën e objektit të ndërtuar.

Me këto veprime, e njëjta ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” sipas KPRK-së” thuhet në njoftim.